![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/Kuvendi.png)
Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i PD-së heq rripin e pantallonave për ta goditur Ballën (video)
Deputetët socialistë dhe opozitarë janë përplasur ashpër të enjten në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të debateve rreth arrestimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Sherri është përshkallëzuar kur në foltore është afruar Taulant Balla, ku disa deputetë të Partisë Demokratike kanë tentuar ta pengojnë të flasë, duke bërë që të ndërhyjnë efektivët e Gardës së Republikës.
Deputeti Petrit Doda madje është parë të heqë edhe rripin e pantallonave duke tentuar të godasë Ballën.
“Juve keni filluar të ndjeni humbjen e 11 majit, humbje që do të jetë më e thella që keni parë ndonjëherë”, u tha Balla demokratëve, duke shkaktuar reagimin e tyre.
Në përgjigje ndaj Ballës, deputeti i PD, Gazment Bardhi, i kërkoi socialistëve të shkarkonin Erion Veliajn.
“Shkarkoni kryetarin e Bashkisë së Tiranës. E kuptoj problemin që ju ka zënë, se ai ka premtuar që do ta marrë edhe kryeministrin e me vete. Por kjo nuk është puna jonë”, tha Bardhi. /A2Cnn