Tensione në protestën e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë
Protesta e partive opozitare para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë është përcjellë me tensione, pasi protestuesit u përplasën me forcat e rendit.
Protestuesit më 13 shkurt u përplasën me zyrtarët policorë, në tentativë për të kaluar kordonin e forcave të sigurisë, ndërsa hodhën flakadanë, kapsolla, por edhe koktej molotovi.
Kjo ishte protesta e dytë që Partia Demokratike e Sali Berishës dhe Partia Liria e Ilir Metës organizojnë lidhur me rastin e njohur si McConigal. Ky ish-pjesëtar i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), po akuzohet edhe për fshehje të takimeve me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por edhe për marrje ryshfeti në vlerë prej 255 mijë dollarësh nga një shqiptaro-amerikan, i cili ka qenë i pranishëm në takimet me kryeministrin Rama.
Opozita të shtunën organizoi protestën e parë, ndërkaq edhe më 13 shkurt po ashtu kërkoi dorëheqjen e Ramës.
Tensione pati edhe në derën ku deputetët hyjnë në sallën plenare, pasi disa deputetët të PD-së, që janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, kërkuan të hyjnë me forcë në seancë, por nuk u lejuan nga Garda e Republikës.
Deputetët opozitarë janë përjashtuar lidhur me bllokimin e foltores dhe për gjuhën joetike të përdorur në seancë. Por, këtë vendim opozita e ka kundërshtuar, duke e cilësuar si të padrejtë.
Teksa opozita po mbante protestën, në Kuvend deputetët po debatonin për rastin McConigal. Në seancën plenare nuk ishte i pranishëm kryeministri Rama.
Më pas seanca u ndërpre për disa minuta, por edhe pas rifillimit ishte e pamundur të vijonte normalisht. Disa deputetë të opozitës tentuan disa herë të bllokonin foltoren, ndërsa deputeti Flamur Noka i binte gjatë gjithë kohës bilbilit, duke bërë të pamundur që deputetët e Partisë Socialiste të mbanin fjalimet e tyre. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mbylli seancën dhe tha se deputetët do të njoftohen kur do të rinisë.
Gjatë seancës, deputetët socialistë kërkuan masa të ashpra disiplinore ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, për shkak të deklaratave të tij, të bëra javën e kaluar, kur deklaroi se dispononte video erotike të ish-zyrtarit të FBI dhe zyrtarëve vendas gjatë vizitave të tij në Tiranë.Berisha tha se ato materiale do t’i dorëzojë në institucionet përkatëse.
Berisha tha se protestat do të vijojnë, pasi sipas tij, “me çdo kusht” do të largohet nga pushteti Edi Rama.
Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar më herët se protesta do të shndërrohet “në revolucion” për largimin nga pushteti të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pak ditë më herët, Komisionit i Votimit dhe Etikës përjashtoi për dhjetë ditë nga punimet e Kuvendit dhe seancat plenare tetë deputetë të opozitës: Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati.