Tensionet Kosovë-Serbi, Moisiu kritikon Borrellin dhe Lajçaku: Po tentojnë që ujkun ta bëjnë qingj
Nga Shkodra, teksa ka mbajtur një ligjëratë të hapur me studentë të fakultetit të drejtësisë, ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, ka komentuar situatën në veri të Kosovës dhe rolin e Shqipërisë.
Ai ka ironizuar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak, duke thënë se vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën.
“Është e vërtetë që Kosova është në një situatë të vështirë. Lufta për pushtet ngatërrohet me luftën për komb. Si mund të zgjidhet ky konflikt kur në krye janë 2 njerëz që vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën, Borrelli nga Spanja dhe Lajçaku nga Sllovakia. Po tentohet që ujkun ta bëjmë qingj dhe qingjin ta bëjmë ujk. Nga na doli tani që Serbia qenka kaq e mirë?”, ka thënë Moisiu.
Gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe pedagogë, Moisiu kishte kritika edhe për klasën politike të Shqipërisë.
“Klasa jonë politike ka mungesë të theksuar të kulturës ligjore dhe kushtetuese. Jemi i vetmi vend ku kryeministri është i betonuar. Merr votat dhe thotë 4 vjet mirupafshim. Nuk ka Zot që e lëviz nga vendi. Një dëm të madh na bën korrupsioni. Është interesant se ato që çirren më shumë për luftën ndaj korrupsionit janë kapot e korrupsionit. Reforma në drejtësi ishte një arritje, por po ecën shumë avash dhe ka dy defekte. Kur flet drejtësia, politika hesht. Gjithmonë politika ka luajtur rolin e akrepit, ka helmuar drejtësinë dhe e ka korruptuar”, ka thënë Moisiu. /A2