Tensionet Kosovë – Serbi, Rama: Rrezikohet seriozisht një përplasje fatale e armatosur
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për medie, ka paralajmëruar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë se po rrezikojnë “një përplasje fatale të armatosur në mes të grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i”.
Ai ka thënë Rama ka thënë se degradimi i situatës në veri, si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”.
“Kjo do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i. Edhe sikur tri orë të zgjaste kjo përplasje, do të rezultonte fatale edhe për gjithë çka është bërë këto vite, me nisma dhe ndërveprime në Ballkanin Perëndimor, nën ombrellën e Procesit të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin”, ka thënë Rama.
Më tutje, Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij se pa lirimin e tre policëve të Kosovës, “nuk ka mundësi për përparim në dialog”.
“As normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të ketë pa lirimin e tyre. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, por edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, dihet botërisht që për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme”.
“Nëse Serbia ka pretendime për arrestimet e pjesëtarëve të minoritetit serb në Kosovë, këto nuk argumentohen duke mbajtur peng 3 policë shqiptarë, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Rama, duke shtuar se nga përplasja Kosovë-Serbi fiton vetëm Rusia.