Tensionet në Kosovë dhe Bosnjë, Stoltenbergu flet për mekanizmat e NATO-s për ndërhyrje

03 janar 2022 | 12:23

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se ka rritje të tensioneve në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai në një intervistë për gazetën malazeze, “Pobjeda” ka thënë se NATO do të punojë për stabilitet dhe siguri në këtë rajon.

Stoltenbergu ka thënë se NATO është e vendosur t’i ndihmojë vendet e Ballkanit që të zbatojnë reforma për të mirën e qytetarëve dhe se do të kërkojë angazhim të vërtetë dhe progres real në reforma dhe pajtim.

“Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konflikti i viteve 1990, por kohët e fundit kemi parë rritje të tensioneve si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për ta minuar progresin. NATO do të vazhdojë ta promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, duke përfshirë punën e përditshme të misionit tonë të KFOR-it të mandatuar nga OKB-ja në Kosovë dhe zyrave tona në Sarajevë dhe Beograd. Bashkëpunimi ynë me Bashkimin Evropian mbetet thelbësor dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur stabilitetin dhe për t’i mbështetur reformat”, ka thënë ai.

Strukturat e Bosnjë e Hercegovinës është e rëndësishme të jenë unike për stabilitetin e vendit, ka thënë Stoltenbergu, duke komentuar veprimet e fundit të Republika Srpskas për shpërbërjen e shtetit.

“Siç thashë vitin e kaluar, kur festuam 25 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit – një nga arritjet më domethënëse ishte krijimi i Forcave të Armatosura të Përbashkëta. Në fund të luftës kishte më shumë se 400 000 ushtarë, të ndarë ashpër mes tri ushtrive; sot ekziston një ushtri e vetme profesionale prej rreth 10 000 ushtarësh dhe 5 000 rezervistësh nën një zinxhir të vetëm komandues. Çdo përpjekje për t’i dobësuar institucionet e nivelit shtetëror vetëm sa do ta minojë sigurinë e Bosnjë e Hercegovinës”, është shprehur ai.

Stoltenbergu ka theksuar  se kjo do të kishte pasoja për ekonominë dhe stabilitetin e Bosnjës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s është përgjigjur pozitivisht kur është pyetur se a ka Alenaca mekanizma për t’i parandaluar tensionet që mund të shtohen.

“NATO është forumi i vetëm transatlantik për konsultime dhe vendime për të gjitha çështjet që prekin sigurinë tonë të përbashkët. Menaxhimi i krizës është dhe do të jetë një nga detyrat tona themelore. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për NATO-n. Kjo u riafirmua në samitin tonë në Bruksel dhe gjatë takimit tonë të fundit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga”.

“U bëj thirrje të gjithë liderëve në rajon që të tregojnë përkushtimin e tyre për reforma dhe pajtim. Ky është çelësi për konsolidimin e stabilitetit në të gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Mandati i dytë i Stoltenberg si sekretar i përgjithshëm i Aleancës përfundon në shtator të këtij viti. Në shtatë vitet e fundit në krye të NATO-s, Aleancës i janë shtuar dy anëtarë të rinj, por ajo është përballur edhe me sfida të reja sigurie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ashtu si çdo fillim vit të ri edhe kësaj radhe…