Tensionet për reciprocitetin kërkojnë bashkërendim me aleatët

24 shtator 2021 | 14:11

SHKRUAN: HAJDIN ABAZI

Para ca ditësh, duke u thirrë në përvojën time që nga lufta jonë çlirimtare, theksova se vetëm kur liderët sinkronizohen me Washingtonin, Kosova fiton, ndryshe, Kosovës i del keq. Me këtë doja ta tërhiqja vëmendjen se është e dëmshme që të mos bashkërëndohemi me Washingtonin, pasi që suksesi ose mossuksesi i Kosovës varet fund e krye nga ky bashkërendim. Kjo është dëshmuar si truizëm qysh nga presidenti Dr. Ibrahim Rugova nga viti 1990, nga UÇK-ja, nga të gjitha qeveritë e Kosovës deri te Qeveria Kurti 1 dhe tash Qeveria Kurti 2.

Shqetësimi im është te fakti se KM Kurti ka manifestuar një tendencë, tash paksa më të kamufluar, për të shmangur kursin e koordinimit të gjithçkajes me SHBA-të, që, në një farë mënyre, e nxori në pah edhe vendosja e reciprocitetit për targat me Serbinë.

KM Kurti tha se reciprociteti u vendos për shkaqe parimore, kurse ZvKM Bislimi, mohoi se kjo ka të bëjë me marrëveshjet e vitit 2011 e 2016, duke theksuar se ishte vendim sovran i Kosovës.

Gjithandej, në debate të ndryshme, u tha  se pasi i dështoi KM Kurtit shtyrja e zgjedhjeve për shkak se sondazhet nuk e nxirrnin LV fituese si në zgjedhjet nacionale; se nuk ndryshuan sondazhet as pas bërjes pa pagesë të studimeve në universitetet publike; madje as vendosja e disa benefiteve për disa shtresa sociale nuk i solli përmirësim imazhi elektoral – gjeti të goditur vendosjen e reciprocitetit të targave.

Serbia, menjëherë i instrumentalizoi serbët e Kosovës, si dhe ndërmori veprime ushtarake.

Kësisoj, u tensionua artificialisht raporti midis Kosovës dhe Serbisë, e që solli reagime nga BE dhe SHBA, por edhe nga Rusia.

Pse, reciprociteti i targave me Serbinë, u bë kaq i mprehtë?

Jo, se Kosova parimisht nuk kishte të drejtë. Ajo, gjithsesi, ka të drejtë.

Por, sepse nuk mjaftojnë vetëm parimet. As vetëm pasja të drejtë.

Nuk mjaftojnë, sepse kemi të bëjmë me një armik tepër të djallëzuar e të sofistikuar. Serbia i njeh mirë tensionet midis Rusisë dhe Kinës në raport me SHBA-të dhe perëndimin. E shfrytëzon çdo veprim të drejtë e shpesh të vonuar të Kosovës për ta shtrembëruar atë në thelb dhe për t’i dhënë konotacion luftënxitës. Me këto truqe propagandistike Serbia e mban të tendosur agjendën anti-Kosovë.

Për ta dramatizuar reciprocitetin, Serbia vendosi xhandarmërinë në kufi me Kosovën, e cila vëzhgon veprimet e Njësive Speciale të Kosovës. Edhe ushtrinë e mobilizoi në Rashkë. Këto, për të krijuar artificialisht një atmosferë të pragut të luftës. Fati që KFOR-i dhe EULEX-i janë në terren po ashtu, se përndryshe Serbia do të kishte inskenuar lloj-lloj veprimi agresiv të Njësive Speciale të Kosovës.

Serbia veprimin e Kosovës po e trumbeton si rrezikim të minoritetit serb, duke thënë se vetëm asociacioni i komunave serbe e zgjidh problemin. Kjo është një strategji e re e Serbisë, për ta bërë agjendë të imponueshme krijimin e asociacionit, në negociatat midis dy vendeve.

Kjo tregon se qeveria e Serbisë po përgatit shumë skenarë në dëm të Kosovës, kurse Qeveria e Kosovës po duket krejt pasive, dhe tashmë kryesisht e fokusuar në fushatën zgjedhore, ndërkohë që Njësitë Speciale të Kosovës po qëndrojnë shumë profesionalisht .në front të një lufte, një herë për një herë, psikologjike, por që mund të eskalojë

Në tërë këtë situatë, KM Kurti gjeti kohë për ta mbrojtur Goran Rakiq, duke thënë se ai po pengon tensionimin, ndërkohë që Rakiq po nxit kërkesën për asociacionin. A mos tregon kjo, vallë, se është ndonjë skenarë për të legalizuar asociacionin e komunave serbe, i cili, për shkak se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, për 8 vite ishte shtyrë, duke kërkuar që ajo të bëhet në përputhje me Kushtetutën, në kuptimin që nuk e prish rendin shtetëror të Kosovës!!!?

Serbia gjithnjë dhe për gjithçka ka vënë në veprim skenarë anti-Kosovë, ashtu sikurse po bën tash me reciprocitetin e targave. Pikërisht kjo e bën veprimin tepër të ndjeshëm, dhe kërkohet të jetë i mirëmenduar e mirëplanifikuar. Për mos me i dhënë adute politike propagandës së Serbisë, e sidomos ndikimit diplomatik.

Për të evituar kthimin boomerang të ndonjë veprimi ani se i drejtë dhe i vonuar madje, ka vetëm një mënyrë: Qeveria e Kosovës duhet të dakordohet paraprakisht me sponsorët e shtet bërjes sonë.

Me asnjë veprim tonin, nuk guxojmë t’i nxjerrim para aktit të kryer aleatët tanë, sepse atëherë, presioni ndërkombëtar, në vend se t’i drejtohet Serbisë, i drejtohet Kosovës.

Përderisa nga Lajçak dhe Borrell erdhën thirrje drejtuar të dyja palëve për shtensionim të gjendjes midis dy vendeve, ambasadori amerikan edhe ai gjerman, kërkuan nga KM Kurti veprim të menjëhershëm në veri të vendit. Për më tepër, Borrell i kërkoi ndihmë sekretarit të shtetit Anthony Blinken për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

A tregon kjo se  veprimi i KM Kurti me reciprocitetin për targat, nuk ka qenë i bashkërenduar me SHBA-të?

Nëse po, atëherë Serbia do ta shfrytëzojë këtë që ta dramatizojë aq shumë masën e reciprocitetit për targat sa t’i ngjajë një veprimi si hapja e Kutisë së Pandorës!

Shpalosja e pretendimeve të presidentit Vuçiq për asociacionin, është një shans i mirë që KM Kurti dhe qeveria e tij të reflektojnë dhe ta rikthejnë kursin bashkërendues me SHBA-të, duke u sinkronizuar për gjithçka.

Pa vonesë.

Menjëherë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jeni në kërkim të energjisë? Jeni në kërkim të fokusit…