Tentativë psikologjike për depërtim në mendimin e shoqërisë së sotme
Një vlerësim për dramën ”HAMLETI – njeriu i hijeve” i autorit Andrin Shyqeri Kabashi
Shkruan: Prof. Dr. Kudusi Lama
Njerëzit lumturohen ose e ndjejnë lumturinë në mënyra të ndryshme. Unë e ndjej atë në sukseset e njerëzve. Në jetë shumë njerëz më kanë bërë të lumtur. Por sot njeriu që më ka bërë shumë të lumtur është Andrini, i cili me gjithë moshën e tij, që nuk mund t’i themi akoma të re, por duhet thënë të vogël, shpalos një intelekt që lë mbresa. Andrini është një djalosh që ka lindur më 17 tetor 2002, pra është vetëm 17 vjeçar dhe ka arritur të na japë deri tani botime mbresëlënëse.
Dikush mund të thotë se ai është përkushtuar të lexojë dhe të shkruaj. Por unë duke e njohur nga afër them jo. Ai është përkushtuar në gjithçka të mirë dhe të bukur në jetë. Andrini është një nxënës që merr vetëm notën më të lartë në shkollë, pra vetëm 5 (pesë) ose 10 (dhjetë) sipas nivelit të notave; që ka një sjellje model në familje, në rrugë, në shoqëri, në shkollë etj.; që nuk përton të marrë ngarkesë; që ruan në çdo situatë një qetësi prej diplomati, të cilit disa fenomene negative me të cilat ndeshet vetëm i bëjnë përshtypje thjeshtë – si kanë kohë njerëzit të merren edhe me gjëra të tilla; që lexon pa ndërprerje dhe zgjeron horizontin e tij. Njëkohësisht ambicia e tij shtrihet edhe në fushën shkencore, duke e zhvilluar kuriozitetin e tij në fushat e kimisë, fizikës, biologjisë, astronomisë etj.
E në mes gjithë kësaj panorame të portretit të Andrinit, spikat edhe letërsia, si lexues dhe si krijues, nëpërmjet të cilës ai është prezantuar publikisht me dramat e tij.
Unë sot kam fatin, që si redaktor i dramës së tij të katërt, të bëj edhe prezantimin e saj.
Drama titullohet ”HAMLETI – njeriu i hijeve”, që vjen me një dinamikë intensive, me freski dhe me një ndjenjë drithërimi me kthesat që merren në proces dhe me atë ndjenjën e pritjes që të dikton për të parë sa më parë, atë që do të vijë. Duket sikur po zgjat kokën për të parë atë që nuk ka ardhur, pasi të krijohet ndjenja se është aty përtej perdes, por të akoma nuk është dukur.
Mund të ketë të tillë, që sa të shikojë në titull emrin Hamleti, titullin e dramës së Shekspirit, mund të mendojë se do të jetë një përsëritje e pa nevojshme. Dhe e them këtë sepse edhe unë kur e pashë, mendova se nuk ka gjë në të, pasi mendova se Andrini thjeshtë ka bërë një përsëritje të Shekspirit. Por nuk është ashtu. Prej Shekspirit autori ka marrë një Hamlet skandinav, që luan rolin e një të çmenduri dhe ka krijuar një Hamlet shqiptar të kohës së sotme plotësisht të çmendur. Dhe është kjo dramë një pamje e shoqërisë së sotme shqiptare. Prandaj edhe Andrini më duket se në mënyrën e tij, me fuqinë e talentit të tij, me përkushtimin e tij dhe me shqetësimin e tij, proteston ndaj kësaj shoqërie së pari shqiptare e edhe botërore të çmendur, duke u përpjekur të tregojë se çmenduria nuk të le rrugë tjetër veçse rrugën drejt varrit, dhe jo si njerëzit e zakonshëm, por i mbuluar me turpe, me kriminalitet, me përbuzje, me pabesi, me pasiguri, me vetmi, me shqetësim etj. Nëpërmjet veprës së tij autori na jep edhe mundësitë se si do të mund të mos jemi të tillë – të çmendur, për të bërë një jetë ndryshe, para se të vihemi para ligjit si kriminelë a të përbuzemi nga shoqëria si të pa pranueshëm. Dhe këtë autori e bën me shumë thjeshtësi, duke e konsideruar çdo veprim si të zakonshëm dhe të lehtë për të kapërcyer nga e keqja në të mirën, nga çmenduria në jetën normale.
Të shkruash dramë, do të thotë të veshë njerëzit në lëvizje, të krijosh skena të tilla, që t’i bësh njerëzit të ndjejnë emocione, të ndjejnë të nxehtë e të ftohtë njëkohësisht.
Autori duke e ditur se konfliktet në dramë janë konflikte të zakonshme që ndodhin në jetën e përditshme njerëzore, e ka trajtuar me shumë thjeshtësi ngjarjen dhe e ka aktualizuar në mënyrë të tillë, sa që të duket se personazhet e dramës i shikon çdo ditë rrugëve dhe mjediseve tona.
Por në rrugën e tij duket se Andrini ndjek idhujt e tij, si Shekspiri, Eskili, Sofokliu, Gëte, etj.
Nëpër veprat e të cilëve rrugëton më së shumti, duke kërkuar të gjejë detaje që të ngrejë prej tyre kulme sipas mendimit të tij.
Që në fillim në shënimin e tij autori na tregon se me çfarë do të përballemi, kur na shpjegon se: ”Hamleti – njeriu i hijeve – është një tekst dramatik, i cili në vete ngërthen çështjen e hakmarrjes, (mos)dashurisë dhe absurdit jetësor. Cilësimi i Albert Kamy-së se jeta është një absurd, një poterë çmendije, përputhet me jetën dhe stilin e saj hamletian.
Absurditeti i Hamletit dhe realitetit të tij, nuk ndalet në jetën e thjeshtë dhe modeste të shoqërisë sonë, por kalon barrierat e reales, dhe puthet me idenë metafizike të ekzistencës së njeriut dhe krijesave anormale në shoqërinë e tij. Sipas kësaj, del se Hamleti nuk është një i çmendur, por ai thjeshtë jeton në çmendinë e jetës.”
E me të drejtë lind pyetja: Sa të drejtë ka autori që del në përfundim të tillë? Mendoj që ai i ka konceptuar dhe formësuar ngjarjet dhe personazhet duke arritur të hyjnë thellë në dramën e tyre, në botën e tyre psikologjike, duke qëndruar larg skematizmit, duke parë forcën e tyre te bota e brendshme shpirtërore, te idetë e mendimet që kërkon ndryshimi dhe zhvillimi shoqëror në kohën e sotme.
Në procesin e krijimit të dramës dhe të krijimit të personazheve e pasurimit të figurave të tyre, roli i fantazisë është i domosdoshëm. Prej ku duket se Andrini ka talent, ka vullnet, ka përkushtim, për të arritur atë që dëshiron.
Nëse kjo dramë do të vihet në skenë, jam i sigurt, se shikuesit do të marrin shumë emocione, dhe do ta përjetojnë plotësisht aksionin nëpër të cilin zhvillohen ngjarjet, duke i bërë pyetjet vetes: A jam unë pjesë e kësaj shoqërie? Ku e kam unë vendin tim në këto zhvillime? Çfarë roli është ai në të cilin është uni im? Prej përgjigjeve të të cilave krijohet panorama e vlerës së veprës.
Në dramën e Andrinit do të gjeni elementë të tillë si ndjenja, paradoksi, e veçanta, kompleksja, e çuditshmja, si dhe drita orientuese për të gjetur rrugën e daljes nga mjedisi i çmendurisë. Përzierja e kohëve është një element që e shoqëron gjithë dramën dhe ajo që të krijon të çuditshmen, është fakti se kohët janë përzierë me vetëdije, ashtu sikurse vendet ku zhvillohen ngjarjet, të cilat përfshijnë gjithë Europën, sikur donë të na thotë, shikojeni sa e vogël është bërë bota, nëpër të cilën ecin edhe personazhet e dramës me pështjellimin e tyre psikik të kohës sonë.
Duke vlerësuar se Andrini ka dëshirën e mirë, të njohë e të zbatojë në krijimet e tij edhe parimet e letërsisë moderne, na e jep pamjen e ngjarjeve të veprës së tij nëpërmjet të papriturave të befasishme, krijimit të skenave në hapësira të mëdha mjedisore në kohë të kufizuar, konflikteve që krijon dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre, situatave dinamike etj.
Drama ”HAMLETI – njeriu i hijeve”, vjen me ngjarjet e saj nëpër gjysmerrësirë. Dhe një zhvillim i tillë ka kuptimin e vet, pasi autori mendoj se ka dashtë të na thotë, që megjithëse kemi sëmundje, megjithëse kemi çmenduri, shoqëria ka fuqi t’i shërojë këto sëmundje; ashtu sikurse na thotë se megjithëse kemi të çmendur e të sëmurë ata janë pak, që ndoshta mund të shkojnë edhe në vetëvrasje a në ndeshje e vrasje midis tyre, por një ditë do ta lënë të qetë e të pastër shoqërinë tonë, kuptohet edhe me punën e përpjekjet e vetë kësaj shoqërie, e cila ka vetinë e vetëshërimit.
Në këtë dramë duket sikur gjithë ngjarja zhvillohet në kokën e Hamletit, sikur është një ëndërr. Por që shpalosë gjithë problemet shoqërore, të pasigurisë, të mashtrimit, të grabitjes, të përvetësimit të pasurisë së tjetrit, varfërisë shpirtërore, familjes së zvetënuar, shoqërisë së pabesë, njerëzve imoralë, kriminelëve, trafikantëve të drogës, shoqërisë së prostitucionit, njerëzve të shprishur moralisht, familjeve të shprishura; dukuri, përfundimi i të cilave na thotë autori është shkatërrimi i individit, sepse shoqëria e gjen rrugën të pastrohet prej tyre. Është pikërisht ky mendoj mesazhi që na jep autori nëpërmjet lojës së personazheve të tij, ku duket sikur thotë: – Pastrohuni, kthjellohuni, ndriçohuni, hiqni dorë prej veseve, prej krimeve, prej pabesive, prej urrejtjes dhe prej keqdashjes, bëhuni të mirë, në të kundërt gjithçka te ju do të jetë një hiq, ashtu si hijet e Hamletit.
Drama ”HAMLETI – njeriu i hijeve”, është një copëz jete e paraqitur në 30 skena, të cilat vijnë shumë komplekse; duke filluar me një ëndërr, vijon me një lojë në Hungari, zbret në një brengë në Prishtinë, në një tren e nëpër mjegull në çmenduri të plotë, del në Paris, vjen në Prishtinë, prapë në Paris, në aeroplan, përsëri në Paris, në Prishtinë, në Paris, në Prishtinë, në çmenduri, në Prishtinë, në varreza, në shtëpi, i përndjekur, i çmendur, ëndërr, në dhomë të gjumit, prapë në varreza e në varrim, në dhomën e gjumit ku çmenduria merr krahë dhe pushton përfundimisht Hamletin të përballur edhe me tradhtinë ekstreme deri në dhomën e tij bashkëshortore, pasi është përballur me hilet, mashtrimet, krimet, shtyrjet, përndjekjet, vrasjet, arratisjet e presionet gjatë gjithë jetës. Dhe tani ka ardhur koha që Hamleti të vdesë, por të lërë trashëgim çmendurinë për të gjithë ata që kanë qenë në lidhje me të dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar të çmendet dhe të vdesë.
Prandaj edhe drama mbyllet në çmendinë, ku Hamleti i fton të gjithë drejt varrit, deri edhe nënën e tij.
Autori në mënyrë të qartë ka krijuar një rrëmujë shumë të larmishme, që jep pamjen e një laramanie e cila të bën të ndjesh të ftohtë, të dyshosh, të shohësh para e mbrapa për t’u bindur nëse je vetëm dhe i sigurt në rrugën nga po shkon.
Por njëkohësisht drama të bën edhe të kesh guxim, të krijon bindjen se nëse nuk do të bësh vepra të këqija nuk do të pësosh asgjë të keqe, nëse nuk do të bësh krim nuk do të kesh as ndëshkim, nëse do të bësh të mira do të kesh gjithçka të mirë dhe me vlerë për vete, nëse do të jesh human do të përfitosh gjithë dashuritë e botës.
Andrini me këtë vepër na tregon se ai di edhe të ndëshkojë edhe të lumturojë, por askënd me të padrejtë. Kështu në një mënyrë na krijon situata të tilla, që të dimë të orientohemi në jetë. Dhe këtë e bën një i ri, që akoma është në fazën e adoleshencës, por me mesazhet e një të burri të mençur. Dhe të gjitha këto në një subjekt të ngërthyer në mënyrë të tillë, që edhe sikur ta lexosh nga fundi në krye, do të duket një vepër shumë e gjetur.
Ndërkohë, tërheq vëmendjen një moment, ku megjithëse në dramë, megjithëse hero i dramës së tij, ai na flet thjesht, qartë dhe shqip, si Andrin, si djalë me bindje kombëtare.
Kjo duket kur në monologun e Hamletit ai vë këtë pjesë: ”… Kaluam luftë të përgjakshme, por tani liria është e jona! E popullit tonë! E njerëzve tanë! O popull… o popull ju flas si bijve të mi. Duajeni tokën se për të gjak u derdh në lumenjtë e botës. Në frontet e luftës shumë nga të afërmit tanë vdiqën për tokën të cilën ju po e shkelni, e në të cilën po jetoni sot në paqe! O popull, bëhuni syhapur! Hapni sytë dhe kënaquni nga mrekullitë e mbretërisë sonë! Kushdo që thotë se Parajsa është ndryshe, e ka gabim! … O popull ju them se sa të jem unë gjallë, asnjë armik nuk do guxoj të cenojë sovranitetin e mbretërisë sonë! Nuk do guxojnë as të na shohin me sy e le de më të na prekin! … Do përleshemi me ta, ditë e natë, derisa ata të binden se kush jemi ne! Pra o popull, po ju them, se me mbretërimin tim, ju do të jeni të sigurt, … O popull, ju ende nuk e dini se kush jemi ne! Ne jemi ushtri elitare! … Dhe ju them o populli im, se heronjtë e popullit tonë… nuk kanë vdekur! Po, po! Ata jetojnë me ne këtu, në mbretërinë tonë, prandaj o popull, edhe nëse vdisni për atdhe, ju do jetoni në tokën tuaj, mbi gjakun tuaj, mbi bukën tuaj…”.
Ky është Andrini, por edhe autori i dramës ”HAMLETI – njeriu i hijeve”. Unë jam i sigurt se e ardhmja për të është shumë premtuese. Ai do të sjellë vepra të shumta në duart e shqiptarëve dhe më vonë shpresoj edhe të kombeve të tjera. Ashtu sikurse do të sjellë potencialin e tij të madh shkencor.
I uroj Andrinit jetë të lumtur, të jetë me prindërit me motrën dhe vëllain me shëndet të plotë e jetë të gjatë. Sukses.
Prof. Dr. Kudusi Lama
(Gjeneral në pension)