Teoritë e kombformimit dhe kombformimi i shqiptarëve

12 maj 2021 | 14:43

Fatmir Lekaj

Pyetjeve, a janë kombet fenomene natyrore, shumë të vjetra, tërësisht fenomene moderne apo fenomene moderne me rrënjë në etnitë paramoderne, në debatin akademik mëtojmë kryesisht t’u përgjigjemi nëpërmes katër paradigmave kryesore: primor­dializmit, perenializmit, modernizmit dhe etnosimbolizmit.

Primordialistët e përkufizojnë kombin si fenomen natyror. Pikënisja teorike e primordialistëve është se kombet ekzistojnë që prej se ekziston njeriu, përkatësisht në rrënjët e proceseve dhe zhvillimeve të njerëzimit.[1] Perenialistët e përkufizojnë kom­bin si fenomen historik. Pikënisja teorike e perenialistëve është se kombet janë fenomene që ekzistojnë nga ato periudha his­torike që ka të dhëna historike për kombet, dhe duke mos e bërë një ndarje të qartë në mes të etnive paramoderne dhe kombeve, aludojnë se kombet kanë qenë të pranishme në vazhdimësi gjatë historisë. Megjithëkëtë, sipas perenialistëve, kombet nuk janë domosdoshmërisht fenomene natyrore.[2] Me fjalë të tjera, një dallim i rëndësishëm në mes të primordiali­zmit dhe perenializmit nënkupton se është dallim të thuhet se kombet janë pjesë e natyrës njerëzore (primordializëm), dhe të thuhet se kombet janë të konstituara gjatë historisë (perenia­lizëm).

Modernistët kanë qasje tërësisht të kundërt krahasuar me primordialistët dhe perenialistët. Pikënisja e përbashkët e teo­ri­cienëve modernistë (Ernest Gellner, Benedict Anderson, Eric Hobswam etj.), është se kombet janë fenomene moderne, në kuptimin se nuk kanë ekzistuar në mesjetë ose më herët.[3] Mitet paramoderne konsiderohen vetëm mite dhe konstrukt­sione, njëkohësisht kombet konsiderohen rezultat (më pak ose më shumë i domosdoshëm) i tranzicionit nga shoqëritë tradi­cio­nale në shoqëritë moderne. Megjithëkëtë, teoricienët moder­nistë kanë mendime të ndryshme kur është në pyetje se cili ka qenë shkaku kryesor i modernitetit për kombformimet.

Etnosimbolistët distancohen nga pikëpamja primordialiste dhe pozicionohen në mes të perenialistëve dhe modernistëve. Pikënisja e etnosimbolistëve është se kombet janë fenomene moderne, por të bazuara në etnitë paramoderne. Sipas përfa­qësuesit më të spikatur të paradigmës etnosimboliste, Anthony D. Smith, debati në mes të teoricienëve të këtyre paradigmave (primordializmit, perenializmit, modernizmit dhe etnosimbo­lizmit), është zhvilluar në dy nivele, në nivelin teorik dhe në nivelin historik. Përderisa modernistët kanë qenë më të zotë teorikisht, perenialistët kanë qenë më të zotë historikisht dhe më të dobët teorikisht. Primordialistët ose e kanë teorinë e gabuar ose nuk kanë teori fare dhe, gjithashtu, janë shumë spekulativë dhe antihistorikë. Ndërsa etnosimbolistët, duke u bazuar në makrohistori dhe elemente sociokulturore, kanë kontribuar për korrigjimin e paradigmave të tjera të sipërpër­mendura.[4]

Rrjedhimisht, në këtë kapitull do të përqendrohem fillimisht në dy paradigmat dominuese, modernizmin dhe etnosimboli­zmin, të cilat (gjatë përafërsisht pesë dekadave të fundit), dominojnë në debatin akademik për nacionalizmin/komfor­mimet si qasje konkurruese e, shikuar nga këndvështrimi i qasjes etnosimboliste, edhe si qasje përmbushëse. Në këtë rast do ta zbatoj qasjen etnosimboliste në rastin e shqiptarëve dhe, që të mos ngatërrohet zbatimi i qasjes etnosimboliste në rastin e shqiptarëve, me qasjen perenialiste dhe primordialiste, do ta bëj një dallim të qartë në mes të etnisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Në kuptimin e dallimit në mes të kontinuitetit etnik të shqiptarëve (që ka shërbyer si bazë për kombformimin e shqiptarëve), dhe vetë procesit të kombformimit të shqiptarëve. Për ta bërë më të kapshëm procesin e kombformimit të shqip­tarëve do të marr pikënisje në tipologjinë analitike të Miroslav Hrochut, në lidhje me periodizimin e procesit të kombformi­meve nëpërmes tri fazave të lëvizjeve kombëtare: fazës a, b dhe c (të kombeve të vogla evropiane, në veçanti të kombeve eurolindore), të cilit i referohet edhe Smithi.

Paradigma moderniste

Ernest Gellner

Filozofi dhe socialantropologu Ernest Gellner është përfaqë­suesi më i dalluar i paradigmës moderniste. Sipas tij, kombet janë produkt i industrializmit (produkt i tranzicionit nga sho­qëritë agrare në shoqëritë industriale).

Qasja teorike e Gellnerit është sociokulturore ngaqë i jep rëndësi të veçantë analizës sociologjike të tranzicionit kulturor, që nënkupton një proces kumulativ të tranzicionit nga shoqëritë agrare në shoqëritë industriale; migrimin nga shoqëritë e vogla lokale në qytete, urbanizimin në kombinim me modernizimin e mjeteve dhe metodave të punës, shtimin e mobilitetit social etj. Ky tranzicion, duke shkaktuar ndryshime sociostrukturore, krijoi në njërën anë nevojën për një platformë të përbashkët terminologjike si e domosdoshme për shoqëritë industriale (që të mund të komunikohet mbi kontekstet lokale), në anën tjetër ky tranzicion, duke i zbehur/dobësuar identitetet/kulturat lokale – “kulturat e vogla”, krijoi nevojën që të formohen identitetet/ kulturat mbilokale – “kulturat e mëdha”.[5] Me fjalë të tjera, tranzicioni nga shoqëritë agrare në shoqëritë industriale ndikoi që nëpërmes gjuhëve dominuese të formohen kulturat mbilokale, përkatësisht kulturat nacionale. Rrjedhimisht në shoqëritë industriale sistemet e përgjithshme dhe të institucio­nalizuara arsimore në gjuhët dominuese u bënë të domosdo­shme dhe të rëndësishme për t’i shpërndarë kulturat nacionale që, në radhë të parë, nënkupton kodifikimin e gjuhëve nacionale nëpërmes gramatikave të qarta dhe stabile me rregulla të qarta të drejtshkri­mit dhe fjalorit të mjaftueshëm për nevojat e komunikimit (mbi kontekstet lokale) në shoqëritë industriale.

Sipas Gellnerit, për dallim nga shteti dhe nacionalizmi, kultura dhe organizata janë fenomene universale ngaqë, shikuar histo­rikisht, kultura në kuptimin e kultivimit të kulturave të ndry­shme dhe organizata në kuptimin e të organizuarit në forma të ndryshme, kanë qenë të pranishme në shoqërinë njerëzore në vazhdimësi gjatë gjithë historisë, pa marrë parasysh fazat e saj. Në këtë vazhdë Gellner distancohet nga doktrina klasike për shtetin se “s’ka shoqëri pa rregull, s’ka rregull pa pushtet, s’ka pushtet pa shtet”, dhe duke e bërë një dallim në mes të “shtetit” të brishtë paramodern (me aftësi të kufizuara në ushtrimin e ruajtjes së rendit) dhe shtetit të centralizuar modern (me aftësi të plotë në aspektin organizativ të organeve dhe personelit të specializuar, për ushtrimin e ruajtjes së rendit), konstaton se vetëm shteti i centralizuar modern mund të quhet shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj, meqë shteti nuk mund të konsiderohet fenomen universal, nacionalizmi nuk mund të konsiderohet aspak fenomen universal sepse njerëzimi nuk ka dëshiruar/kërkuar ose protestuar gjithmonë në vazhdi­mësi gjatë historisë, që të ketë përputhje në mes të kufijve të njësive organizative dhe kufijve kulturorë; që të ketë ndarje (sipas principit nacionalist) në mes “nesh” dhe të “tjerëve”. Kjo, sipas Gellnerit, na ndihmon të kuptojmë më lehtë se kon­stilacionet e ndryshme të kulturës dhe organizatës nganjëherë, por jo gjithmonë, e lindin nacionalizmin[6]. Por problemi, sipas tij, është se “… shumë njerëz, në veçanti ata që thellësisht janë të përfshirë në nacionalizëm, nuk janë në gjendje ta pranojnë dhe ta vërejnë faktin, edhe më pak janë në gjendje ta kuptojnë ose ta shpjegojnë, se ekzistenca e shtetit të centra­lizuar është një pjesë e rëndësishme e prapavijës së botëkup­timit të nacio­nalizmit…” (Gellner, 1998: 19).

Gellner insiston se kombet u krijuan nga nacionalizmi që, sipas tij, është një konsekuencë dhe formë e domosdoshme kulturore (“kulturë e madhe”) e industrializmit dhe se vetëm shteti i centralizuar modern arriti ta zhvillojë dhe mirëmbajë “kulturën e madhe” që u arrit në radhë të parë nëpërmes një sistemi arsimor të centralizuar, të përgjithshëm dhe obligues, në një gjuhë dominuese të përbashkët. Madje, sipas qasjes teorike gellneriane, pikëpamja e monopolit të shtetit mbi sis­temin arsimor/edukimin u bë më e rëndësishme në shoqërinë industriale sesa pikëpamja tradicionale weberiane e monopolit të shtetit mbi dhunën.[7] Me fjalë të tjera, socializimi nëpërmes sistemit arsimor krijoi një lidhje “martese” në mes të “kulturës së madhe” (kulturës nacionale) dhe njësisë së centralizuar politike (shtetit) duke rezultuar në nacionalizëm dhe duke i bërë nacionalistë në radhë të parë të shkolluarit. Kjo do ta kushtëzojë Gellnerin ta ketë një qëndrim relativisht reduksionist për nacionalizmin, duke mos e cilësuar si ideologji, por si një doktrinë politike e përputhjes në mes të kombit, i definuar si “kultura e madhe” (kultura nacionale) dhe shtetit si njësi politike. Kjo nënkupton se kombformimi nuk është i mundshëm (në praktikë) pa shtetin e centralizuar modern.

Në këtë vazhdë, Gellner konkludon se kombet, përkatësisht shtetet kombëtare, u formuan si konsekuencë e industrializmit nëpërmes centralizimit kulturor-politik dhe se parakushtet për këtë centralizim kulturor-politik nuk ishin të njëjta në të gjitha vendet/zonat në botë. Përderisa në Angli, Francë dhe Spanjë këto parakushte ishin të volitshme, në Gjermani dhe Itali parakushti kulturor ishte potencialisht i pranishëm, por mun­gonte parakushti politik (shtetëror) ngaqë ishin të fragmen­tuara në njësi të vogla politike. Megjithëkëtë, meqë potenciali i “kulturës së madhe” (kulturës nacionale) ishte zhvilluar në regjionet që donin të bashkoheshin në një shtet, si në Gjermani ashtu edhe në Itali, kjo kontribuoi që të mos ndodhin spas­trimet etnike në këto dy vende siç, fatkeqësisht, ndodhën spas­trimet etnike në shumë zona të tjera në botë gjatë përpjekjeve për t’i “spastruar kulturat nacionale nga elementet e kulturave të tjera nacionale”. Rrjedhimisht, nacionalizmi si në Gjermani ashtu edhe në Itali rezultoi në nacionalizëm mobilizues për formimin e shteteve në përputhje me kufijtë e kulturave nacio­nale. Ndërsa në shumë vende/zona të tjera në botë, paraku­shtet e centralizimit kulturor-politik ishin të dobëta dhe thuajse aspak të pranishme. Madje edhe në Evropën lindore shumë pak vende kanë pasur kontinuitet kulturor dhe/ose politik ngaqë kryesisht ekzistonte një mozaik i kulturave dhe gjuhëve me dialekte të padefinuara qartë. Për shembull, në rastin e gjuhëve sllave ka qenë e vështirë të përcaktohet se ku përfundon një dialekt dhe ku fillon një tjetër, ose të përcaktohet qartë dallimi në mes të një gjuhe dhe një dialekti. Njëkohësisht, mungesa e shteteve të centralizuara dhe prania e shteteve të brishta ndikuan (gjatë shekullit XIX) për shfaqjen e një procesi me konsekuenca të dhimbshme; entuziazmit për konstruktimin e përnjëhershëm të “kulturave të mëdha” (kulturave nacionale) dhe shteteve nacionale, si realizim i imperativit nacionalist, gjë që shkaktoi spastrimet etnike.[8]

Gellner, duke qenë i vetëdijshëm se modeli i tij teorik për nacionalizmin dhe rrjedhimisht kombformimet nuk shpjegon shkaqet e një forme tjetër të nacionalizmit, të ashtuquajturin nacionalizëm i keq/i keqzhvilluar përpiqet ta kompensojë këtë shpjegim nëpërmes tre faktorëve që, sipas tij, ndërlidhen me modelin e tij teorik. Njëri faktor ka të bëjë me parakushtet socio-ekonomike dhe nënkupton se industrializmi rezultoi me zhvillim të ç’balancuar në botë, sidomos në fazën e parë, duke krijuar dallime shumë të dukshme në mes të pasurve dhe të varfërve dhe, në këtë vazhdë, rezultuan reagimet ndaj këtyre ndryshimeve sociostrukturore të ç’balancuara, si frikë nga degradimi social.[9] Faktori tjetër ka të bëjë me traditat kulturore-organizative dhe nënkupton se në shtetet e brishta, kulturat lokale, duke pasur disa privilegje nga pushteti qendror, e futën një etos të nderit, të hakmarrjes dhe domosdoshmërinë e vetëgjyqësisë në shoqëritë e veta (shoqëri ku burrat nuk mund ta realizonin vetën nëpërmes një karriere të suksesshme, por vetëm nëpërmes përdorimit të armëve), dhe në vazhdën e trashëgimisë dhe reprezentimit të kulturës lokale, filluan të thirren në/dhe të riparaqesin një kategori tjetër kulturore, përkatësisht “kombin”. Duke u bazuar edhe në novelat e Milovan Đilasit, Gellner konsideron se kjo situatë është relevante për shumë pjesë të Ballkanit dhe se kjo ndihmon të shpjegohet mentaliteti i brutalitetit në këtë regjion në vitin 1912, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet ’90.[10]

Faktorin e tretë, ideologjik, të bazuar në romantizmin si reaksion ndaj iluminizmit, Gellner e cilëson si faktorin kryesor për ta shpjeguar burimin e nacionalizmit të keq/keqzhvilluar. Sipas tij, iluministët, në veçanti Immanuel Kanti dhe David Hume, duke u bazuar në dy veçoritë kryesore të përbashkëta njerëzore, përkatësisht në arsyen (duke e lokalizuar burimin e moralit në arsyen), dhe në ndjeshmërinë (në kuptimin se si qenie njerëzore jemi të predispozuara ta ndiejmë mirëqenien dhe dhimbjen dhe, po ashtu, jemi të predispozuara të jemi emfatike ndaj mirëqenies dhe dhimbjes së të tjerëve), kontri­buuan për vetëdijesimin e një etike universale njerëzore pava­rësisht prej kulturave dhe kufijve politikë.[11] Ndërsa romanti­zmi, duke i ndërlidhur ndjenjat me dallueshmëritë/veçoritë e shoqërive/kulturave specifike, sidomos duke mbivlerësuar rolin e ndjenjave karshi arsyes, iu kundërvu pikëpamjes universale të iluminizmit. Kritika ndaj iluminizmit fillimisht ishte e bazuar në letërsinë romantike, duke argumentuar se për letër­sinë fokusi në ndjenja është më i dobishëm, sidomos në sferat e letërsisë siç janë dashuria, seksualiteti etj. Kjo kundërvënie e romantizmit ndaj iluminizmit u zgjerua gradualisht në kuadër të shkencave humane në krye me Johann Gottfried von Herderin, i cili kritikonte pikëpamjen iluministe që parasheh se njerëzimi është në radhë të parë i përbërë nga individët e pajisur me arsyen si veçorinë më domethënëse dhe universale të njerëzimit. Sipas pikëpamjes herderiane, njerëzimi është i përbërë në radhë të parë nga kombet/kulturat dhe se vlerat dhe avantazhet e njerëzimit nuk bazohen në veçoritë e përba­shkëta, por në dallueshmëritë kulturore, dhe se ky diversitet dhe veçoritë kulturore kanë domethënie më të madhe. Megjithë­këtë, sipas Gellnerit, pikëpamja herderiane nuk ishte rigjide në pikënisje ngaqë fillimisht ishte e shqetësuar pjesërisht me diversitetin kulturor si vlerë universale njerëzore dhe pjesë­risht ishte një kundërreaksion ndaj imperializmit kulturor francez dhe komercializmit dhe empirizmit anglez. Mirëpo, kombinimi i pikëpamjes herderiane me darvinizmin, ashtu siç u interpretua nga Nietzche, dhe sidomos në fillim të shekullit 19, kur darvinizmit iu dha një përkushtim i veçantë në disa çarqe hulumtuese shkencore, ndikoi që pikëpamjes romantike të diferencimit kulturor t’i shtohet edhe pikëpamja e diferenci­mit biologjik. Rrjedhimisht, përderisa romantizmi ndikoi që ta reduktojë pikëpamjen për njeriun nga një qenie e arsyeshme/ racionale në një qenie esenciale kulturore, doktrina darviniste ndikoi ta ndërrojë pikëpamjen për njeriun duke e definuar si një qenie shtazore, të predisponuar për konkurrencë të dhun­shme sikurse të gjitha shtazët e tjera. Në këtë vazhdë doktrina darviniste ka pasur implikime të mëdha politiko-filozofike dhe, si pasojë, ka përcaktuar formën më të keqe dhe më të jashtëzakonshme të nacionalizmit, përkatësisht fashizmin dhe nazizmin.[12]

Konkluzioni i Gellnerit është se riorganizimi dhe mobilizimi i shoqërive në kuadër të kulturave të përbashkëta të mëdha (kulturave nacionale) u ndikua nga romantizmi, duke bartur me vete shqetësimin për “rrënjët” e përbashkëta. Në këtë mënyrë romantizmi me argumentimin dhe idiomën e vet i shërbeu në mënyrë të shkëlqyer nacionalizmit, rrjedhimisht nacionalizmi u bë një forcë shtytëse për ndërtimin e shteteve kombëtare, i cilësuar nga Gellneri si Gesellschaft (një formacion shoqëror) i mbuluar me Gemeinschaft (me një relacion të afërt në mes njerëzve).[13]

 

(Fragment nga libri i sapodalë nga shtypi “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi: një qasje teoriko-interpretuese” i autorit Fatmir Lekaj”. Librin e gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë.)

[1] Smith 2008: 51

[2] Smith 2006: 159

[3] Po aty: 3

[4] Smith 2008: 60-61

[5] Gellner 1998: 39-43

[6] Po aty: 19-21

[7] Gellner 2006: 33, 36-37

[8] Gellner 1998: 63-70

[9] Po aty: 72

[10] Po aty: 73

[11] Po aty: 73-76

[12] Po aty: 77-82

[13] Po aty: 83-85

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Detart Grajçevci shpall të pavlefshme ID-kartelen e lëshuar nga Kolegji…