Ter Stegen-Courtois, gati të sfidohen dy portierët me shpirt sulmuesi

18 dhjetor 2019 | 16:55

“El Clasico” është në duar të sigurta. Marc-Andre ter Stegen dhe Thibaut Courtois do të kërkojnë që t’i “mbyllin” portat e tyre mbrëmjen e sotme. Gardiani i Barcelonës mund të jetë goditja më e mirë që bëri Andoni Zubizareta si drejtor sportiv.

Gjermani nuk ishte kaq i njohur në nivelet ndërkombëtare të futbollit, por Zubi ishte i bindur që kishte transferuar një portier për të gjithë dekadën. Koha e ka treguar diçka të tillë dhe i ka dhënë të drejtë. Portieri është shndërruar në një pjesë të rëndësishme për Barcelonën. Në sezonin e parë ka bërë disa pritje shpëtimtare, ndërsa në vitin e dytë tregoi se edhe këmbët e tij janë aq të mira sa duart, raporton “PanoramaSport”.

Në këtë sezon, gjermani ka treguar edhe shpirtin “sulmues” që fshihet brenda tij. Ai ka dhënë 2 asistime për gola, një statistikë që nuk e kanë as mesfushorët në Evropë. Ai është portieri i vetëm që ka dhënë asistime me fanellën e Barcelonës. Është transferuar për të pritur dhe këtë gjë e ka bërë më së miri. Mund të themi se katalanasit kanë avancuar në Ligën e Kampionëve pikërisht falë pritjeve të tij spektakolare kundër Dortmundit, Interit dhe Slavias së Pragës.

Courtois

Përballë tij do të qëndrojë Courtois. Portieri belg përmbysi një situatë mjaft të vështirë në fillimin e sezonit, duke u shndërruar në një pikë të fortë për Realin e Madridit. I bëri për vete zemrat e tifozëve “galaktikë”, pasi dha kontribut në barazimin që skuadra e Zidane mori kundër Valencias.

Ai goditi me kokë një krosim dhe më pas Benzema e dërgoi në rrjetë. Në fillimin e sezonit kishte shumë kritika për të dhe detyra për të zëvendësuar Navasin nuk ishte aspak e lehtë. Por, tani duket sikur ka kaluar një jetë dhe Courtois ka shumë besim. Barcelona është “macja e zezë” për të dhe në karrierë ka arritur ta mposhtë vetëm një herë. Do të kërkojë edhe sot në mbrëmje ta bëjë diçka të tillë për ta ngjitur në krye Realin e Madridit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas deklaratës së ish-ministres për Dialog, Edita Tahirit në konferencën…