Tërbohen në Beograd për bilbordet me figurën e Rita Orës
“Skandaloze! Shqiptarja Rita Ora i qesh Beogradit në fytyrë! Këngëtarja e preferuar e Haradinajt dhe Thaçit në pankartat e kryeqytetit!”, kështu shkruan media serbe Informer e indinjuar me këngëtaren nga Kosova me famë botërore.
Serbët e quajnë skandaloze faktin se nëpër tabelat reklamuese të Beogradit shfaqet këngëtarja Shqiptare me famë botërore Rita Ora duke promovuar një markë perëndimore stolish të çmuara.
Gazeta serbe Informer e quan Rita Orën mbështetëse të UÇK-së që ka bërë thirrje për Shqipërinë e madhe. Kjo gazetë madje ka realizuar një sërë intervistash më të rinj në kryeqytetin serb ku i pyet ata sesi ndihen që Rita Ora shfaqet në qendër të Beogradit.
“Kjo është e tmerrshme dhe është një dëshmi e nivelit të ulët të vetëdijes kombëtare të serbëve. Vendi ynë nuk duhet të lejojë një këngëtare shqiptare që mbështet kriminelët e UÇK-së dhe bën thirrje për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ në tabela në të gjithë kryeqytetin. Ligji urgjentisht duhet të hartohet dhe miratohet për të ndaluar publikimin e reklamave me përmbajtje anti-serbe. Ka shumë njerëz në vendin tonë që janë të gatshëm të punojnë kundër interesave të njerëzve të tyre për hir të përfitimit material”, thekson një i ri serb i intervistuar nga gazeta Serbe Informer.
“Nëse do të pyesja veten në jetë, nuk do të lejoja që një reklamë e tillë të shfaqej në vendin tonë, veçanërisht jo në kryeqytetin tonë. Dhe kjo vjen nga një grua që ka një qëndrim të qartë politik kundër Serbisë. Unë mendoj se këto tabela janë të panevojshme dhe duhet të hiqen, të paktën nga aty ku janë”, thekson Stanimiroviq, një i ri serb.
Sipas tij, këngëtarët serbë as nuk dëgjohen në Prishtinë apo Tiranë. Nebojsha Kërstiq, një ekspert i mirënjohur i marketingut në Serbi, i thotë gazetës Informer se gjëra të tilla nuk mund të ndëshkohen me ligj por nga tregu.
“Nuk është e paligjshme dhe nuk mund të ndalosh një këngëtare të shfaqet në një reklamë. Është tregu që do të thotë fjalën e tij të fundit. Nëse një kompani ka bërë një zgjedhje të dobët të markës tregtare, atëherë kjo do të ndihet në shitjen e produkteve”, shpjegoi Kërstiq.
Artistet shqiptare Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Ava Max prej kohësh janë shndërruar në imazh të firmave ndërkombëtare pas suksesit që kanë pasur në tregun e muzikës/BalkanWeb