
Tërë struktura e UÇK-së doli nga Universiteti i Prishtinës
Shkruan: Agron Hoti
Ka pasur dhe vazhdon të ketë një frymë antikombëtare që vazhdon ta stërkeq Strukturën Drejtuese të UÇK-së si të pashkolluar, vetëm e vetëm për t’ua ulur përkrahjen në popull. Njëjtë vepronte pushtuesi jugosllav kundër vijës patriotike shqiptare duke i poshtëruar e stërkequr para qytetarëve me lloj-lloj etiketimesh. E kjo frymë anti-UÇK dhe anti-Krerë të UÇK-së e ka burimin te po ajo frymë antishqiptare jugosllave.
Por, e vërteta e shkollimit apo mos-shkollimi të Strukturës Drejtuese të UÇK-së është tërësisht ndryshe. E vërteta është se nga Universiteti i Prishtinës (UP-së) dolën strukturat e secilës parti politike në Kosovë. Doli tërë elita intelektuale e Kosovës. Edhe Struktura Drejtuese e UÇK-së doli po ashtu nga Universiteti i Prishtinës. Edhe partia që është sot në pushtet doli nga po ky UP, asesi nga ndonjë universitet perëndimor siç po mundohen t’i shiten qytetarit.
Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë që hapja e UP-së, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, përmirësimi i pozitës së shqiptarëve ndodhi vetëm pas një rezistence të vazhdueshme që pati kulmuar me demonstratat e përgjakshme të shqiptarëve në vitin1968, pastaj në 1981, 1989-1990. Të gjitha këto ‘lëshime’ nuk ndodhën nga mëshira jugosllave, sepse snjë nga ato pak të drejta që kishim si popull i robëruar në Jugosllavi s’na ka ardhur nga mëshira jugosllave, por nga gjaku dhe një sakrificë e paparë shqiptare.
Këto demonstrata u bënë kundër pushtuesit serb që me program po mbillte mjerim socioekonomik, pastaj kundër aparatit të tij të dhunës si dhe kundër një armate të tërë shqiptarësh në dukje që ishin rreshtuar hapur pro pushtuesit serb dhe kundër çfarëdo shpirti patriotik shqiptar. Është vazhdimësia e po asaj armate kinseshqiptare që edhe sot s’ndal së poshtëruari UÇK-në dhe Strukturën Drejtuese të saj, sepse përmes poshtërimit dhe mohimit të luftës së UÇK-së (si vazhdimësi e vijës historike patriotike shqiptare) mundohet të na e shesë robërinë jugosllave si lulëzim, ndërsa çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës si “shkatërrim 20 vjeçar”.
Ishin po ato demonstrata të përgjakshme të 68-tës që e detyruan pushtuesin serb të hapte UP-në, ta përmirësonte sadopak pozitën e shqiptarëve, të fillonte sadopak ndërtimin e qyteteve, të cilat deri në vite të 70-ta ishin fshatra të harruara në kuptimin e plotë të fjalës. Pushtuesi serb e dinte që sa më e madhe të ishte dhuna kundër shqiptarëve, aq më e madhe do të ishte rezistenca e tyre. Sa më e madhe rezistenca, gjasat e çlirimit do të ishin më të mëdha, saktësisht siç ndodhi në 1999, prandaj bënte lëshime të herëpashershme sikurse në vite të 70-ta me hapjen e UP-së, vetëm sa për ta neutralizuar shpirtin patriotik shqiptar që mos të arrinte të mobilizohej e t’ia kthente pushkën.
Me fjalë tjera, Kosova, si qytetet ashtu edhe fshatrat deri në fillim të viteve të 70-ta, ishte një fshat mjerimi e terrori, ku numri i vdekjes së foshnjeve ishte ndër më të lartit në Evropë. Pas viteve të 70-ta pushtuesi serb për të krijuar një përshtypje zhvillimi, ndërtoi ca qytetet, ndërsa fshatrat i la të shkreta. Nga 1970-1999 dallimi në standard jetësor fshat-qytet ishte i madh ashtu siç ishte i madh edhe niveli i pabarazisë ekonomike. Ta kemi të qartë, nuk është se qytetet kishin ndonjë hov zhvillimi ku ta di se çfarë, por në krahasim me fshatrat ishin më mirë, sepse kishin qasje në institucione, në punësim dhe e kishin njëfarë standardi më të mirë jetësor. Ishte mu ky zhvillim nëpër qytete që i ekspozonte qytetarët e fshatrave si “fshatarë” e “katundarë”, kjo për faktin se fshatrat shqiptare ishin ndër më të përjashtuarat sociale në Evropë.
Kishte edhe një arsye se pse pushtuesi serb po ndërtonte qytetet në kurriz të fshatrave, e kjo ishte se popullsia serbe po jetonte kryesisht në qytete. E meqë shumë serbë në Kosovë ishin kolonë të ardhur nga Serbia e Mali i Zi, u duhej krijuar kushte që të rrinin në Kosovë për ta prishur balancën demografike. Jo rastësisht shqiptarët që kanë jetuar në qytete e mësonin shumica serbishten dhe turqishten, e kjo ndodhte, sepse kishin kontakt të rregullt me serbë e turq në jetën e përditshme. Deri në vite të 70-ta e 80-ta s’mund të integroheshe në jetën socioekonomike në disa qytete kryesore pa e ditur serbishten e turqishten. Ideja ishte që të krijohej përshtypja se në Kosovë kishte shumë pak shqiptarë. Por, rritja e madhe demografike e shqiptarëve sidomos në vite të 70-ta dhe 80-ta përmbysi këto politika shoviniste serbe në thelb antishqiptare.
Ndërsa qytetarët e fshatrave, meqë s’bashkëjetonin me serbë apo turq e minoritete tjera, s’e dinin as serbishten e as turqishten. E kur nuk i dije këto dy gjuhë ngeleshe margjinal dhe konsideroheshe “fshatar” apo “katundar”. Mjerisht kjo ndarje “fshatar-qytetar” mbretëron ende nëpër mendjet e shumëkujt, edhe pse në formë më të zbehur, kjo për faktin se standardi jetësor fshat-qytet në Kosovën e pasluftës është barazuar dhe kjo ka ndodhur vetëm falë çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës për herë të parë në histori.
Pas viteve të 70-ta pati filluar të krijohej një elitë komuniste që rehatonte fëmijët e njëri tjetrit, gjersa fshatarët rrinin me gishta në gojë. Kishte shumë rëndësi para lufte se i kujt ishe dhe prej nga vije kur hyje në provime apo punësoheshe. Mu për këtë arsye, historikisht pakënaqësitë sociale, luftërat dhe revolucionet kanë nisur nëpër fshatra, sepse aty vuante më së shumti popullsia, ndaj edhe rezistenca kombëtare ishte gjithnjë më e fortë. Prandaj, edhe UÇK s’mund të përbënte përjashtim nga bota, ndaj edhe lindi pikërisht nga ata që vinin nga fshatrat, të cilat i kishte harruar edhe historia.
Por, Struktura Drejtuese e UÇK-së, pavarësisht që vinte nga fshatrat, ajo u zbrum dhe lindi midis Universitetit të Prishtinës, sepse burgjet, Universiteti dhe odat e burrave ishin tri mundësitë më të mëdha, ku mund të ndërtohej lëvizja çlirimtare, sepse gjendja e vështirë socioekonomike s’jepte kurrfarë mundësie mobiliteti qytetar, kjo sepse një i ri fshati s’e shihte me vite qytetin më të afërt, se lëre më botën. Prandaj, të vetmet ishin burgjet, Universiteti dhe odat ku rinia dhe patriotët mund të njiheshin e të lidheshin mes vete dhe ku ndërtohej rezistenca kundër pushtuesit serb.
E luftën çlirimtare e drejtoi mu Struktura Drejtuese e UÇK-së, e cila ia doli ta bënte për vete tërë botën demokratike. Pas çlirimit të Kosovës, Struktura Drejtuese e UÇK-së bëri shtetin dhe shkeli nëpër kancelari perëndimore më shumë se çdokush deri me sot. Mu nga vendosmëria e tyre kancelaritë perëndimore ua hapën dyert. Fundja nuk ka shkollim më të madhe dhe inteligjencë më të madhe në glob, sesa mobilizimi për luftë, çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi.
Dhe mu nga perspektiva që solli çlirimi i Kosovës duhet theksuar që nga viti 1999 deri në vitin 2019 dallimi në standard jetësor fshat-qytet u zhduk pothuajse tërësisht dhe kjo përbën mrekulli, sepse asnjë shtet në glob s’ka arritur ta zhdukë dallimin fshat-qytet për vetëm 20 vite çlirim e 11 vite shtetësi, e aq më tepër kur fshatrat edhe ashtu të varfëra që ishin deri në 1998 u dogjën e shkrumbuan deri në 1999.
E tash, ka një kastë puthadoras të Serbisë që gjatë kohës së pushtimit serb ka qenë njëfarë elite që ka jetuar bindshëm më mirë se fshatrat, kastë kjo që e ka pasur më të afërt Beogradin në shpirt se cilindo fshat tjetër të Kosovës, e tash kur fshatrave po u vjen era zotnillëk, ai apo ajo nuk po mund të pajtohet, bile po tmerrohet. Prandaj, vazhdojnë reagimet anti-UÇK dhe anti-Krerëve të saj si ruralë dhe të pashkolluar.
E vërteta është se po të kishin qenë të prapambetur njerëzit e UÇK-së, atëherë Serbia e Rusia s’do të sillnin tankse e topa kundër tyre gjatë luftës 1998-1999 dhe s’do të bënin çmos pas lufte për ta goditur lavdinë e UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj. Fundja pse Serbia e Rusia s’bënë Gjykatë Speciale kundër komunistëve shqiptarë që e ‘zhivatën’ Jugosllavinë, por bënë një të tillë vetëm kundër UÇK-së dhe Strukturës së saj. Mjerisht ishin pikërisht komunistët shqiptarë ata që i ndihmuan më së shumti Serbisë e Rusisë ta themelonin Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Nuk thonë rastësisht “ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron”.
Prandaj, mos të na thotë dikush që Struktura Drejtuese e UÇK-së s’ishte e shkolluar. Sepse në po atë Universitet të Prishtinës, ku u shkolluan shumica e shqiptarëve të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, po aty u shkollua edhe Struktura Drejtuese e UÇK-së bashkë me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në Kosovë. Kjo është vërteta, prandaj dikuj-dikujt ende i dhemb. A.H.