Tërheqja e investimeve, prioritet i qeverisjes lokale në Mitrovicë
Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Mitrovicë, Artan Berisha i shoqëruar nga drejtori i Planifikimit dhe Urbanizmit, Edison Ternava, kanë vizituar të enjten Parkun e Biznesit në Mitrovicë.
Me këtë rast, nga drejtorët komunalë është bërë me dije se arsyeja e vizitës është identifikimi i parcelave në Parkun e Biznesit, duke shtuar se tani e tutje parcelimi do të bëhet në atë mënyrë që të krijohen ngastra më të përshtatshme për këtë zonë, dhe që bazohen në legjislacionin e planifikimit hapësinor.
Më tutje drejtorët komunalë kanë shtuar se prioritet i qeverisjes lokale është tërheqja e investimeve në Mitrovicë dhe hapja e vendeve të reja të punës prandaj pushteti lokal është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të mbështesë bizneset të cilat do të operojnë në atë zonë, të pajisen me kontrata të duhura, dhe të krijojnë kushte për një infrastrukturë moderne, që do t’i mundësojnë bizneseve operim më të lehtë dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.