“Tërheqja e letrës së Bërnabiqit, dorëzimi i Radojiçiqit“, Qeveria tregon çka u bisedua sot në Bruksel
Qeveria e Kosovës ka dalë më një komunikatë për takimin e sotëm në Bruksel kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak.
Qeveria njoftoi se zëvendëskryeministri Bislimi, në takim ka përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.
Sipas Qeverisë, në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu Qeveria njoftoi se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur.
“Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë.”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme” të enjten në Bruksel.
Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t’u takuar së bashku.