“Tërheqja e parave nga Trusti do të ndihmonte në përballimin e krizës ekonomike”
Profesori i ekonomisë, Ujkan Bajra, është pro tërheqjes së një shume të caktuar të parave nga Trusti duke thënë që këto para mund të kontriubuojnë në përballimin e krizës ekonomike.
“Në parim domethënë është e mundshme që të bëhet shpërndarja e kësaj pjese tek kontributdhënësit për faktin se ato janë mjete që janë grumbullu nga kontributet e tyre dhe duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi tani është shumë e mundshme që ato të kontribuojnë në uljen ose në përballimin e krizës ekonomike, në këtë rast rritjen e çmimeve ose inflacionit që po e shoqëron ekonominë në kohën e fundit”, ka thënë Bajra në Klan Kosova.
Sipas Bajrës, nuk ka logjikë që të mos tërhiqet trusti përderisa qytetarët po vuajnë në këtë kohë të krizës ekonomike.
“Ne kemi një dalje për skemat sociale mujore nëse përafërsisht është mbi 43 milionë euro”.
“Nëse shumëzohet në 12 muaj domethënë mbi gjysmë miliardi euro dalin për skema sociale”.
“Në këtë rast, vetëm 10 milionë janë kontributdhënës që paguhen për secilin muaj”.
“Pra, a ka logjikë që të mendohet në këtë aspekt që të mos tërhiqet trusti në anën tjetër të vuajnë qytetarët në këtë rast punëtorët që e kanë një pjesë të kursimeve të veta në trustin personal të Kosovës”.
“Ideja o të nxirret një metodologji e cila do ta lehtësonte, nuk o gjithsesi e thënë që njerëzit që kanë të hyra, ose që kanë kursime mbi 30 mijë euro të tërheqin trustin”.
Ujkani ka thënë që pjesë me rëndësi e procesit është diskutimi mbi modalitetet, më saktësisëht për mënyrën se si do të ndodhë tërheqja e parave nga trusti.
“Në parim tërheqja duhet të ndodhë. Modalitetet janë çështje që do të duhet të diskutohen”.
“A duhet të ndodhë menjëherë apo në mënyrë të shkallëzuar. Mirëpo, marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi duke operu, ekonomia e Kosovës, mendoj që një tërheqje do t’i kontribuonte mirëqenies së popullatës”.