Tërheqja e shortit për Kupën e Botës 2026, presidenti Ademi po qëndron në Cyrih
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, po qëndrojnë në Cyrih, ku nesër do të bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Botës 2026.
Presidenti Ademi ka theksuar se ky është një moment i rëndësishëm për ne dhe shpreson se Kosova të ketë një short sa më të favorshëm, në mënyrë që të mund të jemi pjesë e këtij eventi madhështor.
“Motivi është i jashtëzakonshëm, pasi Kosova dëshiron të përfaqësohet në Botërorin e SHBA-së, një vend që e ka mbështetur fuqishëm shtetin tonë dhe që na ka ndihmuar të arrijmë deri këtu ku jemi sot. Dje u mbajt edhe Kongresi i FIFA-s, ku morëm pjesë në formatin online. Iu gëzuam lajmit që Kupa e Botës 2030 do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Maroko, por që njëkohësisht për nder të 100-vjetorit të këtij eventi, tre ndeshje do të luhen në Uruguai, Paraguai dhe Argjentinë, duke nisur nga Uruguai, ku u mbajt Botërori i parë në vitin 1930”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Ai ka shtuar se: “Ndërkohë, në të njëjtin Kongres u vendos që Botërori 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite, një tjetër vend mik i Kosovës. Uroj që Kosova te jetë në këto kampionate dhe të paraqesim vlerat tona të futbollit, por edhe si shoqëri”, ka shkruar Ademi.