Tërheqja ishte e duhur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendimi i tij për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje, ka qenë “gjëja e duhur për t’u bërë”.
Biden i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ndihmësit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.
Këto ishin të parat prej tij, prej se u tërhoq nga gara më 21 korrik.
Ai i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, e cila tani duhet të sigurojë nominimin e partisë si kandidate për presidente.
“E di që lajmi [për tërheqjen time] ishte befasues dhe i vështirë për t’u dëgjuar, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.
Ai tha se ekipi ka punuar “me shpirt” për ta ndihmuar atë që të qëndronte në detyrë edhe për një mandat të dytë, por shtoi se “nuk do të shkojë askund” dhe se do të mbetet “plotësisht i angazhuar” në fushatë.
“Shpresoj që ju t’i jepni Kamalës një pjesë të zemrës dhe shpirtit tuaj, që ma keni dhënë mua”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.
“Ne ende duhet ta shpëtojmë këtë demokraci. Trump paraqet ende rrezik për këtë komb”, tha Biden duke iu referuar kandidatit republikan për president, Donald Trump.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.
Biden, 81 vjeç, u tërhoq pas shqetësimeve në rritje për moshën dhe shëndetin e tij./REL