TËRHEQJA NË DREJTIM TË SHQIPËRISË
LULZIM SAHITI
Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (4)
Menjëherë pas Drinit, në fshatin Kushnin kanë arritur të hyjnë edhe Florim Qelaj nga Peja, që ishte kapiten në ish-armatën jugosllave, Shkelzen Pepshi nga Peja, Nysret Krasniqi “Hansi” nga Peja, po ashtu ishte rreshter në ish-ushtrinë jugosllave, Hysni Kuçi nga Suhareka, Ylli Elshani nga Suhareka dhe një ushtar tjetër emrin e të cilit nuk kemi arritur ta identifikojmë. Luftëtarët e UÇK-së qëndrojnë në Kushnin deri rreth orës 22:00. Atë natë Nexhmedin Berisha ka vënë kontakt me Njësitin e UÇK-së në Rogovë të Hasit, me ç’rast udhëheqësi i skuadrës së UÇK-së, Kapllan Hoti, së bashku me Ibrahim Shalën, Xhavit Berishën, Osman Berishën e të tjerë, vijnë nga Rogova për ta ndihmuar tërheqjen e tre ushtarëve të plagosur dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë. Të plagosurit janë bartur me një qerre me kalë. Gjatë udhëtimit kanë hasur edhe në ushtarë të tjerë të cilët kishin humbur rrugën dhe iu bashkuan grupit të tyre. Ky udhëtim ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm për arsye se në një pjesë të rrugës, komandant Mahiri është dashur të bartet edhe në shpinë. I gjithë udhëtimi është kryer jo në rrugë ekzistuese, por nëpër ara, thera e shkurre, vetëm që t’i shmangen ballafaqimit me forcat serbe. Rreth orës 4:00 të mëngjesit mbërrijnë në Rogovë. Ata vendosen në dy shtëpi, njëri grup i ushtarëve me komandant Drinin vendosen te shtëpia e Asllan Berishës, ndërsa grupi tjetër me Mahir Hasanin vendosen në kullën dykatëshe të Halil Osmanit-Berishës.
Kur hyjnë brenda në odën madhështore, shohin përplot burra. Kjo odë ishte rregulluar bukur, por atë e zbukuronin edhe më shumë ata njerëz që ishin brenda me pritjen e tyre burrërore. Kryefamiljari mikpritës, luftëtarin e lirisë Mahir Hasani e vendos në ballë të oxhakut, të cilin atë natë nuk kishte mbetur njeri pa e përshëndetur. Madje disave iu mbushën sytë me lot. Mahiri ndiente dhembje nga plaga që kishte marrë në këmbë. Afër tij ishte ulur një burrë i vjetër, me shtat të lartë, që barte në kokë një plis të bardhë. E gjithë oda ishte shtruar me postiqe të bardha si bora, ndërkohë të plagosurit filloi t’i rridhte gjak nga këmba. Nga i zoti i shtëpisë (Halili), që kishte pranë vetes, Mahiri kërkoi një peshqir për të mos lënë gjakun të pikë në postiqe. Çka ndodhi? I zoti i konakut ngritet në dy gjunjë dhe me zë të lartë thotë: “O komandant, shyqyr që na solli Zoti të derdhim gjak për vendin tonë dhe çdo pikë gjaku do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat që vijnë. Ky gjak i juaji dhe i shumë luftëtarëve të tjerë do të jetë dëshmi e vulë e lirisë së popullit të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë. Andaj, i nderuar, qofsh faqebardhë ti dhe familja juaj që kanë lënë dikë mbrapa me i dal zot kësaj toke! Qofsh me jetë të gjatë! Shtrije këmbën e le të rrjedhë ai gjak edhe në këto postiqe të kësaj kulle, që edhe këto ta marrin ngjyrën e lirisë!”, përfundon babagjyshi i Nexhmedin Berishës.
Në mesditën e 15 dhjetorit, duke vërejtur se situata ishte shumë e tensionuar nga ana e forcave serbe, Nexhmedin Berisha ka përgatitur planin për transferimin e të plagosurve dhe ushtarëve të tjerë nga Rogova për në fshatin Krushë e Madhe, ku kishte staf mjekësor. Me njësitin e vet, Nexhmedini kishte organizuar rreth 30 ushtarë për përcjelljen e tyre, ndërkaq nga Njësiti i Rogovës kishte organizuar rreth 20 veta të tjerë të Brigadës 124, të cilët e kishin për detyrë ta vëzhgonin terrenin dhe ta siguronin rrugën Rogovë – Krushë e Madhe që e kontrollonin forcat serbe. Pra, udhëtimi është zhvilluar rrugës kryesore nga lëviznin edhe forcat armike. Me të arritur në Krushë të Madhe, të plagosurit i dërgojnë në një shtëpi – ambulancë, ku shërbente dr. Fahredin Sh. Hoti. Pas 27 orëve, ai ua ofron ndihmën e parë, mandej transferohen në spitalin e porsathemeluar në Pagarushë të Malishevës, në të cilin shërbente dr. Agim Hazrolli me stafin mjekësor.
Luftëtarët e lirisë, nga e majta në të djathtë: Bislim Muçaj dhe Mahir Hasani gjatë shërimit të plagëve të luftës në Pagarushë
Menjëherë pas sulmit ndaj ekipit të pararojës së UÇK-së që ndodhi rreth 500 metra para, u bë shkëputja në mes të vëzhguesve dhe kolonës, e cila u ndal në vend dhe pret vendimin e mëtutjeshëm të eprorëve të tyre ushtarakë. Mbi një orë është diskutuar dhe analizuar vazhdimi i rrugës për në Kosovë apo kthimi për në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, në vendin nga erdhën krismat armike, Komandant “Kapuçi” është nisur teposhtë luginës për t’i parë pozicionet e forcave armike dhe mundësinë e depërtimit të kolonës tutje. Në këto çaste ushtarët ishin ulur për t’u çlodhur pak dhe disa shfrytëzonin kohën për ta bërë ndërrimin e çorapëve të lagura nga bora. Rreth orës 6:00 ai është kthyer dhe para gjithë ushtarëve që vinin nga Zona Operative e Drenicës, Pashtrikut dhe Nerodimes, komandant Mujë Krasniqi ka deklaruar publikisht se “pas vëzhgimit të terrenit që kam bërë në këtë pjesë ku kemi planifikuar të kalojmë, nuk ka asnjë mundësi të ecim tutje, prandaj duhet të rikthehemi për në Shqipëri”. Ai kërkon që t’i lënë në atë vend të gjitha pajisjet e rënda ushtarake, përpos armatimit dhe municionit personal për vetëmbrojtje. Në këto çaste të rënda, Mujë Krasniqi ndiente përgjegjësi të lartë si komandant i këtij eshaloni të UÇK-së dhe llogariste hyrjen në fshatin Lubizhdë me pasoja të mëdha, meqë tashmë kjo zonë kufitare ishte rrethuar nga forca të mëdha ushtarake serbe ku, krahas ushtarëve të UÇK-së, do të pësojë edhe popullata civile e kësaj zone.
Askush nuk e imagjinonte se gjatë kthimit në drejtim të Shqipërisë do të ballafaqohen me forcat e armikut. Ushtarët që kishin bërë mbi 18 orë udhëtim tashmë ishin të lodhur, të uritur, pa ujë, pa gjumë, të ftohur nga acari i madh. Kishte të atillë që më me mall e bënin vdekjen sesa kthimin. Bile Rrahman Tafa nga lodhja e madhe që kishte, kërkonte me ngulmë ta vazhdojnë rrugën tutje për Kosovë. Mirëpo, përgjegjësi i ushtarëve të ZON-së dhe Batalionit “Ruzhdi Salihu”, Afrim Musliu, arrin t’i bindë ushtarët me urdhrin e komandant “Kapuçit” dhe vazhdojnë marshimin drejt Shqipërisë. (Vijon)