Tërhiqet nga aplikimi personi që pretendoi se ishte viktimë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Një person është tërhequr nga aplikimi i tij për të qenë viktimë pjesëmarrëse në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
“35/06”, është pseudonimi i njërit nga personat që ka aplikuar për të dëshmuar si viktimë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
I njëjti ka informuar Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave se është tërhequr nga aplikimi i tij. Këtë veprim ai e ka ndërmarrë më 9 nëntor, duke kontaktuar direkt me Zyrën ku fillimisht ai e kishte dërguar aplikimin e tij.
Siç përshkruhet në raportin e kësaj zyreje, personi në fjalë nuk ka qasje në internet, dhe i njëjti ka kërkuar që tërheqja e tij t’i përcillet direkt gjyqtarit të Procedurës Paraprake.
“Më 9 nëntor 2021, ‘aplikuesii 35/06’ informoi VPO-në për vendimin për tërheqjen e aplikimit të tij . Meqenëse aplikanti nuk ka internet ose ndonjë mjet tjetër për të dërguar deklaratën e tërheqjes, viktima ‘35/06’ i kërkoi VPO-së që të t’ia përcjellë çështjen gjyqtarit të procedurës paraprake”, është thënë në raportin e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave.
Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i ka rekomanduar tutje gjyqtarit që “viktimës 35/06” t’ia pranojë kërkesën meqenëse ai ka shprehur dëshirën që pa mëdyshje të tërhiqet nga aplikimi i tij për pjesëmarrje ne procedurë.
“Meqenëse kërkuesi shprehu pa mëdyshje dëshirën për të tërhequr kërkesën e tij përmes telefonit dhe dha arsye të vlefshme pse një kërkesë me shkrim nuk mund të dorëzohej, VPO rekomandon që gjyqtari i procedurës paraprake të pranojë tërheqjen e kërkesës së viktimës ‘35/06’ për të marrë pjesë në procedure”, është thënë në raport.
Dokumentet përcjellëse të kërkesës në fjalë, pas përfundimit të procedurave të nevojshme i janë dorëzuar gjyqtarit paraprak.
Kujtojmë se Zyra për Pjesëmarrjen e viktimave ka mbushur dy raporte me aplikacione të personave që pretendojnë të jenë viktima të UÇK-së e të cilët do të marrin pjesë në gjykim.
Disa prej tyre janë refuzuar, teksa një pjesë është pranuar nga gjykatësi paraprak dhe Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave.
Aktualisht, ish-krerët e UÇK-së në Hagë janë në pritje të një vendimi nga gjyqtari paraprak në lidhje me kërkesën e tyre për mbrojtjen në liri.