Tërhiqet nga Montekarlo, rrezikon të mungojë në turnetë e preferuar
Ende ka një shqetësim të madh për gjendjen fizike të Rafael Nadal, i cili rrezikon të mos marrë pjesë në disa nga turnetë kryesore në fushat me dhe.
37-vjeçari spanjoll nuk ka luajtur që nga janari kur u mposht në çerekfinalet e turneut në Brisbane dhe sot konfirmoi tërheqjen nga turneu i Montekarlo, që nis ditën e diel. Që nga janari, ai e ka shtyrë disa herë rikthimin e tij, ndër të cilat spikat tërheqja nga turneu Masters i Indian Wells.
Në turneun amerikan, Nadal u tërhoq pak orë para se të debutonte kundër kanadezit Milos Raonic. Në javët e fundit, tenisti nga Majorka ka raportuar progresin e tij dita-ditës në rrjetet sociale. Megjithatë, që nga 23 marsi Nadal duket se është zhdukur, duke lënë në hije fansat e tij, duke shtuar misteret për gjendjen e tij shëndetësore. Nga Spanja, mediat thonë se kampioni iberik ka ende probleme, sidomos me shpinën dhe barkun. Kjo i krijon atij vështirësi të mëdha në shërbim dhe në lëvizje. Për këtë arsye, Nadal po stërvitet në Akademinë e tij në Manacor, larg syve kureshtarë. Problemet fizike vazhdojnë dhe e detyrojnë atë të ndryshojë planet e tij për të qenë konkurrues në Roland Garros dhe Olimpiadë.
“Ky nuk është një moment i mirë, pasi trupi im nuk më lejon që të luaj ashtu si dua dhe të jem konkurrues. Më vjen keq që duhet të tërhiqem nga Montekarlo”, tha Nadal.