Tërhiqet një avokat nga ekipi mbrojtës i Haradinajt në Hagë
Një avokat është tërhequr nga ekipi mbrojtës i nënkryetarit të OVLUÇK-së në Hagë, Nasim Haradinaj.
Bëhet fjalë për avokatin Jonathan Worboys, i cili ka shërbyer si bashkëavokat i liderit të ekipit mbrojtës të Haradinajt, Toby Cadman.
Sipas dokumentit të tërheqjes, është pikërisht Cadmani ai që ka miratuar largimin e Worboys.
“Më 23 mars 2022, avokati informoi Zyrën e mbrojtjes se Worboys i ka pushuar shërbimet si bashkëavokat i Haradinaj. Në bazë të nenit 18(6) të direktivës për avokatët, avokati më tej informoi Zyrën e mbrojtjes se përfundimi i kontratës së z. Worboys do të realizohej pa efekt të kundërt në interesat e z. Haradinaj dhe kohëzgjatjen e procedurës. Zyra e mbrojtjes thekson në këtë drejtim se avokati i z. Haradinaj vazhdon të ndihmohet nga dy bashkëavokatë të tjerë”, është thënë në dokument.