Tërhiqet SBAShK-u, pranon 50 eurot e qeverisë me disa kushte shtesë

20 shtator 2022 | 20:07

Mësimdhënësit janë ende në grevë që nga 1 shtatori, shkaku që Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e SBASHK-ut për shtesat prej 100 eurove për punonjësit e arsimit.

Pas gati një muaj grevë, kryetari i SBASHK-ut, Rahman Jasharaj duket se është tërhequr nga propozimi i tij për 100 euro shtesë për mësimdhënësit.

Në një prononcim për Nacionalen, përfaqësuesi i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, konfirmoi për Nacionalen një gjë të tillë.

“Kërkesa jonë është 50 euroshi i ofruar nga qeveria plus 10 për qind ngritje page deri në fund të vitit, ndërsa nga viti i ardhshëm me pasë përsëri rritje të pagës në bazë të inflacionit dhe në bazë të rritjes ekonomike që i bie përafërsisht 20 për qind nga janari me qenë në rritje”, tha Ymeri.

Jasharaj tërheqjen e SBAShK-ut nga kërkesa për 100 euro e ka bërë të ditur në letrën që ia ka dorëzuar sot Avokatit të Popullit, të cilën e ka siguruar Nacionale.

Siç shihet nga dokumenti i siguruar nga Nacionale, kërkesa për 100 euro shtesa është zëvendësuar nga:

1. Rritja e pagës për 10.45 % aq sa ishte rritja ekonomike;

2. Plotësim ndryshimi i ligjit për skemat pensionale;

3. Deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i ligjit të sigurimeve shëndetësor.

Kujtojmë që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte shpallur grevën të enjten e 25-gushtit për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, kishte deklaruar se greva e nisur do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

“Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga. Më 10 gusht 2022 BSPK-ja mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të sigurisë të situatës. BSPK-ja përsëri ndoqi të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave, por nuk ia doli të ulet me Qeverinë dhe të gjejmë një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’ju informoj se ligji është që na obligon të hyjmë në grevë, mu ky është shkaku që sot po e shpallim grevën e përgjithshme për shkak të mos-realizimit të kërkesave.”

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte hedhur një mori akuzash në drejtim të SBAShK-ut, duke e akuzuar për rrënim të shtetit e shantazhim të Qeverisë.

“Në një Kosovë ku testet e PISA-s po naj nxjerrin 3/4 e fëmijve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, deklaroi Kurti.

Madje ai i kishte vlerësuar kërkesat e SBASHK-ut si absurde e irracionale.

“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara.”, theksonte tutje Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti britanik Lewis Hamilton nuk ka korrur ende asnjë fitore…