Tërhiqet shorti për finalen e Kupës së Kosovës, FC Prishtina luan në cilësinë e mysafires
Në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës është tërhequr shorti për finalen e Kupës së Kosovës për edicionin 2022/23.
Në ndeshjen që do të zhvillohet më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 18:00, FC Prishtina do të jetë skuadër mysafire.
FC Prishtina në këtë ndeshje do të luajë me fanella të bardha, kurse SC Gjilani me të kuqe.
Gjithashtu është vendosur edhe se ku do të vendosen tifozët e të dy skuadrave.
“Plisat” e Prishtinës do të vendosen në pjesën jugore të stadiumit teksa “Skifterat” e SC Gjilanit në veri.
Për tifozët e organizuar nga të dyja klubet, FFK ka vendosur që t’i ndajë nga 200 bileta falas.
Janë caktuar gjithashtu edhe çmimet e biletave. Biletat në pjesën perëndimore kushtojnë 10 euro, 5 euro në lindje dhe 3 euro në veri dhe jug.