Tërmeti fut ekonominë në “gjendje kome”, mbyllen 850 biznese në Durrës
Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi tragjedinë më të rëndë në katër dekadat e fundit në Shqipëri, me një bilanc tragjik prej 51 viktimash dhe shumë të lënduar, pa llogaritur edhe dëmet e mëdha në banesa kolektive e shumë shtëpi private. Por, edhe biznesi ka pësuar humbje të mëdha. Madje kërkohet ndërhyrja e qeverisë dhe e autoritetit të mbikëqyrjes financiare për të dalë nga ajo që mund të quhet – “gjendje kome”.
Tash që e gjithë vëmendja e strukturave shtetërore është përqendruar te sigurimi i strehimit për mijëra banorë të Durrësit, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme, biznesi është lënë tërësisht në harresë këto ditë. Sipas kreut të Dhomës së Biznesit në Durrës, Alban Isteri, deri më tani janë 20 fasoneri me rreth 150-200 punëtorë secili, që edhe sot, në ditën e 12-të pas tërmetit, nuk kanë nisur punën, pasi ambientet dhe makineritë janë dëmtuar.
Rreth 850 biznese të vogla janë mbyllur për shkak të dëmtimeve në godinat ku ushtronin aktivitetin, ndërkohë që janë rreth 100 biznese të mëdha që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Ajo që është më shqetësuese këto ditë është se janë edhe një pjesë e konsiderueshme biznesesh që vazhdojnë të ofrojnë shërbime në katet e para, ndërkohë që katet e sipërme janë kthyer në të pabanueshme.
Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë, një ndër kërkesat parësore që i ka parashtruar Këshillit të Ministrave është “koordinimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Shtabit të Emergjencave për dërgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe certifikimin e godinave me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurt për punëmarrësit”.
Një pjesë e bizneseve që kanë pësuar dëmtime të shumta në godina janë duke kërkuar ambiente të reja me qira, pasi riparimi i dëmeve do të kërkojë kohë, ndërkohë që nisja e aktivitetit duhet të bëhet një orë e më parë, sepse kanë afate kontratash që duhet t’i respektojnë me partnerët e huaj.
Por, ndërsa janë të prekur drejtpërdrejt nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti, një pjesë e madhe e bizneseve po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.
Në ditët e panikut që mbërtheu Durrësin, ku një pjesë mjaft e madhe e popullatës u largua drejt qyteteve të tjera, por edhe gjatë kësaj jave, jo të gjithë punonjësit i janë rikthyer punës, pasi një pjesë prej tyre u janë shpallur shtëpitë e pabanueshme dhe ende nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit. “Bizneset në jo pak raste po punojnë me 40-50 për qind të kapacitetit të tyre dhe kjo është një kosto e shtuar për ta”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës, i cili ngre alarmin se nëse nuk ndërhyn shteti me lehtësi fiskale, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve do të shkojnë drejt falimentimit në muajt në vijim.
Pranë Qendrës së Regjistrimit të Biznesit këto ditë ka qenë i lartë numri i subjekteve që janë paraqitur për ta pezulluar aktivitetin për shkak të dëmeve të pësuara, apo se godina ku ushtronin aktivitetin është shembur ose ka dëmtime të mëdha. Në një kohë kur shumë biznese kanë ndërprerë aktivitetin që nga data 26 nëntor, kjo mund të shoqërohet edhe me një kosto të rëndë sociale.
Deri më tani bizneset në Durrës kanë deklaruar se do t’i paguajnë punëtorët edhe gjatë kësaj periudhe pauze, por kjo do ta rëndojë edhe më shumë portofolin e tyre.
Një fenomen tjetër shqetësues është fakti se edhe para tërmetit të 26 nëntorit bizneset në Durrës ndienin mungesën e fuqisë punëtore. Kjo pritet të thellohet edhe më tej në muajt në vazhdim, pasi një pjesë e fuqisë punëtore, e mbetur pa shtëpi pas tërmetit, do të tentojë të emigrojë. Por, ka edhe punonjës, të dëmtuar nga tërmeti, që u kanë kërkuar punëdhënësve të tyre paradhënie për riparimin e dëmeve apo për të marrë shtëpi me qira. (Dita)