Tërmeti në Alaskë shkakton alarm për cunami
23 janar 2018
| 11:45
Alarm për cunami është lëshuar pas një tërmeti prej 7.9 shkallësh të richterit që ka goditur bregdetin e Alaskës në Shtetet e Bashkuara.
Tërmeti ka goditur rreth 300 kilometra në juglindje të ishullit Kodiak, në një thellësi prej 10 kilometrash, tha Instituti Gjeologjik i SHBA-së.
Shërbimi Kombëtar i Motit në ShBA, ka theksuar se alarmi është në fuqi për zonat që përfshijnë Kaliforninë, brigjet e Kolumbisë Britanike dhe Alaskën.
Njerëzve u është kërkuar të gjejnë strehim në zona më të larta.
Qendra Paralajmëruese për cunami ka thënë se bazuar në parametrat paraprakë të tërmetit “valët e rrezikshme të cunamit janë të mundshme”.