Tërmeti në Turqi, Atsu ende në mesin e të zhdukurve
Ylli i futbollit të Ganës, Christian Atsu, është ende i zhdukur, 10 ditë pasi tërmeti me magnitudë 7.8, në Turqi, tha sot agjenti i tij, Nana Sechere.
“Ne jemi ende në kërkim të Christianit. Ne i kemi kërkuar AFAD (Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave) që të vendosë foton e tij në të gjitha spitalet lokale dhe kombëtare”, tha ai.
Sechere, i cili ndodhet në provincën jugore të Hatay të Turqisë me familjen e anësorit, u lut për më shumë burime dhe ndihmë për të gjetur lojtarin e Hatayspor të martën.
“Gjërat po ecin tepër ngadalë dhe si rezultat i kësaj shumë shpëtime po vonohen dhe jetët po humbasin për shkak të mungesës së burimeve në dispozicion të punëtorëve. Është për të ardhur keq që klubi nuk është në terren me ne, krah për krah, në kërkim të Christianit. Pozicioni dhe ndikimi i tyre, i shoqëruar me njohuritë e tyre lokale do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm. Ne i lutemi Presidentit të klubit dhe kryetarit të bashkisë së Hatay, Lütfü Savaş që të sigurojë burime shtesë për të shpejtuar përpjekjet e shpëtimit si prioritet”, shkroi Sechere në Twitter.
Sipas Secheret, dhoma e Atsus është gjetur dhe dy palë këpucë të tij janë gjetur, por ende nuk e kanë gjetur atë nëpër rrënoja.
“Kjo është një situatë e vështirë dhe ne u jemi jashtëzakonisht mirënjohës të gjitha ekipeve të shpëtimit turk dhe të huaj, civilëve vendas dhe vullnetarëve për përpjekjet dhe reagimin e tyre në shpëtimin e të mbijetuarve. Megjithatë, ne kemi nevojë urgjente për më shumë burime, duke përfshirë një përkthyes, në terren”, shtoi Sechere.
Javën e kaluar pati konfuzion pasi raportet nga Turqia fillimisht thanë se Atsu ishte gjetur dhe ishte në spital. Sechere fillimisht kishte thënë më 7 shkurt se kishte “konfirmim zyrtar” nga Hatayspor se Atsu ishte në spital dhe se ai është stabil, por më 8 shkurt, Sechere shkroi në Twitter se Atsu ishte ende i zhdukur, raporton CNN.
Para se të bashkohej me Hatayspor vitin e kaluar, Atsu përfaqësoi disa klube të ndryshme angleze, duke përfshirë Chelsean, Evertonin, Bournemouth dhe Newcastle.