Tërmeti në Turqi: Përpjekjet e shpëtimit përfundojnë në të gjitha zonat përveç dy provincave
Turqia ka përfunduar përpjekjet e shpëtimit në të gjitha provincat, përveç dy provincave, pothuajse dy javë pas tërmetit që la mijëra të vdekur tha agjencia e vendit për fatkeqësitë.
Kërkimet do të vazhdojnë në Kahramanmaras dhe Hatay, tha shefi i agjencisë.
Të mbijetuarit po nxirreshin ende nga rrënojat të premten, por shpresat po shuhen për të gjetur dikë tjetër të gjallë.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbërriti në Turqi të dielën. Udhëtimi i tij ishte planifikuar para katastrofës.
Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.8 të 6 shkurtit ishte në Kahramanmaras. Më shumë se 46 mijë njerëz raportohet se kanë humbur jetën në Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore.
Numri i të vdekurve pritet të rritet, me rreth 345,000 apartamente në Turqi që dihet se janë shkatërruar dhe shumë njerëz ende të zhdukur. As Turqia dhe as Siria nuk kanë thënë se sa njerëz janë ende të pagjetur, raporton BBC.
“Në shumë nga provincat tona, përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit kanë përfunduar,” u tha gazetarëve në Ankara shefi i agjencisë së fatkeqësive, Yunus Sezer.
Ai tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdonin në rreth 40 ndërtesa në të dy provincat, por ai priste që ky numër të binte deri të dielën në mbrëmje.
Punonjësit e shpëtimit nxorrën të paktën tre persona nga rrënojat të premten, më shumë se 11 ditë pasi ishin bllokuar kur goditi tërmeti.