Termi paramilitar përdoret gabimisht nga mediet tona
Nga Jakup Krasniqi
Sot, më 4 dhjetor 2019 në RTK, në ora 9:00 e mëngjesit u dha lajm për një varrezë masive të shqiptarëve “të vrarë në luftë nga paramilitarët serbë”?! Lajmi jo vetëm që nuk është i saktë, por ishte edhe krejt i gabuar.
Pse?
Krimet e luftës që janë kryer në Kosovë janë edhe krimet e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ato vrasje nuk janë bërë nga paramilitarët, por nga instrumentet e shtetit serb dhe politika e planifikuar e Serbisë për ta shuar pjesërisht ose tërësisht popullin shqiptar në Kosovë. Madje, për ato krime të gjenocidit, politika zyrtare serbe as sot e kësaj dite nuk është distancuar as formalisht. Përkundrazi nga zyrtarët më të lartë të ati shteti edhe sot e kësaj dite drejtohen kërcënime ndaj shqiptarëve dhe Republikës se Kosovës. Ata edhe sot përpiqen ta pengojnë çdo formë të bashkëpunimit ekonomik nder shqiptar si edhe vet ekzistencën e shtetit tonë të Pavarur, Sovran e Demokratik.
As ata të vjetrit e as këta të rinjtë sot nuk janë e as ishin grupe që vepruan e veprojnë jashtë politikës zyrtare të Serbisë. Paramilitarët ishin krijesa të shtetit me qëllim që të amnistoheshin instrumentet e shtetit. Prandaj askush në Kosovë nuk duhet ta haj atë karrem të krijuar nga politika zyrtare e gjenocidit serb.
Shkurt, kur thua vrasje nga paramilitarët, nuk ke thënë asgjë dhe ke akuzuar hiçgjë. Çdo vrasje në Kosovë është bërë nga Serbia, nga instrumentet shtetërore të krijuara e të ekzistuara për atë qëllim, të bënin krime të gjenocidit. Dhe ata e bënë ketë dje dhe nuk janë penduar as sot.
Çdo term tjetër i përdorur për ato vrasje është i gabuar! Siç është i gabuar edhe përdorimi i termi masakër i cili në asnjë mënyrë nuk mund t’i zëvendësoi krimet e gjenocidit që i përjetuan shqiptarët disa herë nga Serbia, filluar me gjenocidin serb të viteve 1876/78, Luftës së Parë e të Dytë Botërore e ato të viteve 1998/99.
Sesi do të duhej të përdoreshin këto terme, para ca ditësh, në detale ka sqaruar e argumentuar ne mediet tona, politikologu ynë Bardhyl Mahmuti.
Saktësia gjuhësore dhe përdorimi i saktë i termave politike, është kulturë edhe për ata që informojnë e informohen!