Tërmkolli: Ata që mohojnë Rugovën, Adem Jasharin, UÇK-në dhe Thaçin për pavarësi janë adoleshentë të rrezikshëm të politikës
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Melihate Tërmkolli, ka kritikuar përfaqësuesit e shtetit, pasi thotë se në Ditën e Pavarësisë dolën me heronjtë e “tyre”.
Ajo përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se nuk priten ditë të mira për vendin, derisa partitë i kanë heronjtë e tyre dhe përjashtojnë tjerët.
Sipas saj, është marrëzi që të mohohet presidenti Rugova, themeluesit të shtetit të pavarur dhe Adem Jashari e UÇK-ja dhe Hashim Thaçi.
Ajo ka shtuar se ata që guxojnë t’i mohojnë, janë adoleshentë të rrezikshëm të politikës të cilët nuk meritojnë t’i mbajnë pozitat që kanë!
“Përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë, Ditën e Pavarësisë, në Kuvend, secili doli me heronjtë “e vet”! Nuk priten ditë të mira për një vend në të cilin secila parti politike ka heronjtë e vet, përjashtues me njëri tjetrin. Është marrëzi politike e kombëtare mohimi i presidentit Rugova, themeluesit të shtetit të pavarur dhe Adem Jasharit e UÇK- së, në cilëndo ngjarje kombëtare ndërsa në datën e shpalljes së pavarësisë është i patejkalueshëm edhe Hashim Thaçi! Kështu thotë logjika dhe vetëdija shtetërore kombëtare. Ata që guxojnë t’i mohojnë, t’i partizojnë e t’i personalizojnë, janë veç adoleshentë të rrezikshëm të politikës të cilët nuk meritojnë t’i mbajnë pozitat që kanë!”, ka shkruar Tërmkolli.