Tërmkolli i reagon LDK-së: Këta që ia mbanin iso-n Isës për Asociacionin, i ka kapë frika mos qeveria po e pranon
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar pasi nga LDK-ja janë deklaruar se ekziston rreziku që Qeveria Kurti mund të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Tërmkolli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se të njëjtit ia mbanin iso-n Isa Mustafës kur e kishte nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ajo këtë e ka quajtur pafytyrësi, mjerim njerëzor, politik e intelektual.
“Këta ‘puthadorët’ e ‘puthakëmbët’ që i mbanin iso-n Isës kur e nënshkroi Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, i paska kapë frika tani mos Qeveria e tanishme po e pranon këtë asociacion! Çfarë pafytyrësie! Çfarë mjerimi njerëzor, politik e intelektual”, ka shkruar Tërmkolli.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.