Termocentrali”Kosova e Re” do të ndërtohet sipas standardeve evropiane
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj bashkë me inspektoratin, vizitoi të martën Korporatën Energjetike të Kosovës-Termocentralin “Kosova” B si dhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill”.
Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, e ka njoftuar ministren Reshitaj me mbarëvajtjen e punës në këtë termocentral, gjendjen dhe funksionimin e filtrave për kontrollimin dhe reduktimin e ndotjes që vjen nga ky termocentral.
Reshitaj gjatë vizitës kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që të punojë më shumë në reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e filtrave si dhe krijimin e zonave të reja të gjelbra përreth zonës së termocentraleve në mënyre që të ketë një mjedis dhe ajër më të pastër për qytetarët.
“Jam e lumtur që tani më do të ndërtohet termocentrali i ri “Kosova e Re” sipas standardeve evropiane, me teknologjinë më të re të filtrave për të reduktuar ndotjen e ajrit. Pra të gjithë varësisht nga përgjegjësitë që kemi duhet të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë”, dekalroi Reshitaj.
Reshitaj vizitoi edhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill” ku u prit nga drejtori Hamit Leci, nga i cili u njoftua për procesin e trajtimit dhe distribuimit të thëngjillit.
Leci prezantoi idenë dhe gatishmërinë që thëngjilli i KEK-ut të eksportohet në vendet e rajonit si masë preventive për reduktimin e ndotjes së ajrit duke u bazuar në kërkesat për furnizim me thëngjill që vijnë nga Greqia e Maqedonia.
Reshitaj në takim shprehu përkushtimin në gjetjen e solucioneve për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje.