“Termokos”-i paralajmëron shtrenjtimin e çmimit të ngrohjes
Rritja e eventuale e çmimit të energjisë elektrike, pas krizës globale, mund të ketë efekte zinxhirore edhe në Kosovë.
Një paralajmërim të tillë tashmë e kanë dhënë nga “Termokosi”, në prag të fillimit të sezonit të ri të ngrohjes.
Zëdhënësja e “Termokos”-it, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka paralajmëruar rritje të çmimit të ngrohjes për konsumatorët nëse eventualisht ka ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas saj, kjo mund të ndodhë pasi “Termokos”-i për prodhimin e energjisë termike është i varur kryekëput nga avulli që e merr nga KEK-u.
“Sado që tregu i energjisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe çmimin është i rregulluar nga ZRRE, një krizë eventuale energjetike, në rast se ndikon tek KEK-u, rrjedhimisht do të mund të kishte refleksion edhe tek NP ‘Termokos’-i”, ka thënë Uka për “Buletinin Ekonomik”.
Ndërkohë “Termokos”-i paralajmëron se do të fillojë me ngrohje në kryeqytet nga 15 tetori dhe do të zgjasë deri më 15 prill të vitit 2022.