Tërnava bën thirrje për unitet
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos e braktisin Kosovën, të mos migrojnë, ndërkohë bëri thirrje për unitet, edhe politik, që të krijohen vende punë dhe siguri e mirëqenie për të gjithë.
“Të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë, por të punojmë për ditë më të mira për atdheun tonë. Fjalët e mia do të doja të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e Qeveri, të reflektojmë në të mirën dhe për të mirën e atdheut, të krijohen mundësi të reja për punësim të rinisë tonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy”, ka thënë Tërnava në Hytben e Fitër Bajramit.
Sipas tij, gjendja e rëndë ekonomike duhet të luftohet dhe duhet që të gjithë të angazhohen për të mirën e vendit, që është edhe amaneti i atyre që janë dëshmorë.
Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.