Tërnava: Besimtarët myslimanë i gëzohen Fitër Bajramit pas sakrificës së madhe
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e Fitër Bajramit, në mesazhin e tij, ka thënë se kjo festë troket thellë te besimtarët.
Tërnava, mes tjerash theksoi se kjo ditë feste për besimtarët myslimanë vjen pas përfundimit të muajit të Ramazanit, njofton Klankosova.tv.
“Nesër është dita e bajramit, ditë feste për besimtar myslimanë në mbarë botën, të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste ngase vjen pas një sakrifice të madhe, ajo është një manifestim falënderimi për Zotin pas agjërimi të muajit të bekuar të Ramazanit”, u shpreh Tërnava.
“Edhe në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste madhështore e cila shfaqet në shoqërinë tonë në familjet tona me gëzim e hare me gjuhë falënderuese ndaj krijuesit dhe shprehje urime dhe përgëzimesh në mesin e gjithë besimtarëve”.
“Urtësia dhe esenca e festës së Fitër Bajramit, është gëzimi dhe hareja e cila troket thellë në shpirtrat e besimtarëve, të cilët e falënderojmë Zotin e madhëruar që u mundësoi dhe u bëri të lehtë agjërimin, adhurimin, faljen e namazit, leximin e Kuranit”.
Tërnava, theksoi se kjo festë dallohet nga të tjerat.
“Fitër Bajrami bartë brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh që e dallojnë nga festat e tjera, bart vlera shoqërore dhe njerëzore të islamit ku zemrat bashkohen në mirësi ashtu që gëzimi i bajramit përfshin çdo shtëpi të besimtarë, bekimet e Zotit shtrihen në çdo familje islame”.
“Bajrami është festë që edhe fëmijët i mbush me gëzim, buzëqeshje e argëtim. Ditë të shënuar që të afërmit i bashkon në forcim të lidhje farefisnore, ditë të lutjeve të shpresisës, bamirësi, ditë kur pastrohen shpirtrat dhe shtrëngohen duart”, tha myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.