
Tërnava dhe Erbash shikojnë nga afër punimet në xhaminë qendrore në Prishtinë
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka pritur të martën në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Turqisë, Ali ef. Erbash.
Tërnava i ka uruar mirëseardhje Erbashit në Kosovë, derisa siç është thënë në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ai e ka cilësuar këtë vizitë si shumë domethënëse për popullin e Kosovës, “marrë parasysh të kaluarën historike të përbashkët ndërmjet dy popujve”.
Pas takimit ata kanë shikuar nga afër punimet që janë duke u bërë në xhaminë qendrore në Prishtinë.
Me këtë rast, kryetari i Bashkësisë Islame të Turqisë, Ali ef. Erbash, ka thënë se ndjehet i lumtur që ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me Kryesinë e BIK-ut. Ai e ka lutur Zotin që punimet të ecin mbarë dhe sipas planit të paraparë.
Gjatë kësaj vizite, myftiu Tërnava dhe kryetari Erbash, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të cilin e kanë njohur për së afërmi me mbarëvajtjen e punimeve të xhamisë qendrore në Prishtinë.