Tërnava: Lajmet e rreme, kërcënim i demokracisë
Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS) në partneritet me Demokraci Plus (D+) kanë mbajtur tryezë diskutimi me temë “Lajmet e rreme, kërcënim i demokracisë”.
Granit Tërnava, menaxher i programeve (KAS), lajmet e rreme i quajti kërcënim i demokracisë, por tha se e rëndësishme është që mediat të mos u japin hapësirë këtyre lajmeve.
Në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, Tërnava ka kërkuar që këto lajme të mos përdoren nga liderët për vota.
Ndërsa, Leart Hoxha, kryetar i bordit të D+, i cili moderoi këtë tryezë, prezantoi broshurën e kësaj organizate në të cilën paraqiten format e shpërndarjes së lajmeve të rreme.
Bardh Rugova, profesor në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se kërcënimi nga lajmet e rreme është më i madh se sa që mendohet.
Sipas tij po jetojmë në një shoqëri ku nuk ka mendim. “Në një anë e kemi lirinë e shprehjes në anën tjetër e kemi fake news”.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor në Drejtësia në Kosovë, tha se sidomos tani gjatë fushatës zjedhore po shihet një investim i madh i partive politike që po i përkrahin dhe fuqizojnë lajmet e rreme, sidomos përmes portaleve.
Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike, vuri në pah nevojën e luftimit të fenomenit “fake news”, duke thënë se kërkohet koordinim në rrafshin global dhe lokal për ta luftuar këtë fenomen.
/Epoka e re/