Tërnava: Në vigjilje të Kurban Bajramit lutemi që bota të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e luftëra (video)

27 qershor 2023 | 11:49

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka thënë se në këtë natë para Bajramit të Kurbanit lutet që bota të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e luftëra.

Tërnava tha se Kurban Bajrami e ka kuptimin e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit, andaj u lut për mbarësi, begati e harmoni në secilën shtëpi.

“Sot po jetojmë në një kohë trazirash, luftërash, pasigurish, konfliktesh e frikë, në këtë ditë të madhe vigjilje të Kurban Bajramit lutemi që mesazhet dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohen drejt nga të gjithë, lutemi që bota të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e luftëra. Festa e Kurban Bajramit ka edhe kuptimin e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit. Lus për shëndet, mbarësi, begati, harmoni e dashuri në familjet tona”, ka thënë Tërnava.

Tërnava tha se në emër të BIK-ut u bashkëngjitet lutjeve të besimtarëve myslimanë që sot gjenden në Mekë, duke kryer haxhin.

“Në mesin e miliona haxhilerëve nga e gjithë bota që gjenden në Arafat, janë edhe nga Kosova e vise tjera që në formën më të mirë shprehin besimin e përkushtimin e tyre ndaj krijuesit të gjithësisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se me kryerjen e haxhit besimtari shpreh në mënyrë shpirtërore, fizike e emocionale përkushtimin vetanak e kolektiv për zotin, i bindur në faljen e mëkateve dhe shpërblimeve të shumta të premtuara nga zoti fuqiplotë”, u shpreh ai.

Sipas Tërnavës, haxhi përkujton udhëtimin për te zoti duke pasur për qëllim që haxhiu të kthehet pa mëkate.

Kreu i BIK-ut tha se prerja e kurbanit është një ritual që e argumenton bindjen ndaj zotit.

“Edhe prerja e kurbanit është një ibadet tjetër shtesë që argumenton shpirtin e bindjes për zotin dhe të njëjtën kohë ka për qëllim qoftë për një kohë të caktuar, mbylljen e hendekut dhe ndasive në mes të shtresave të ndryshme shoqërore duke rritur bashkëpunimin, ofruar ndihmën e duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Prerja e kurbanit historikisht na kujton veprimin e Ibrahimi me të birin Ismailin. Ai ishte i gatshëm të flijonte të birin e vetëm për hir të zotit”, ka thënë ai.

Ai shtoi se festa e Kurban Bajramit vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë shpresën, begatinë, solidaritetin, paqen e mirëkuptimin.

 

https://fb.watch/lqqxaX17kQ/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aplikacioni Whatsapp tashmë vjen po vjen me një përditësim të…