Tërnava pjesë e konferencës ku u diskutua për menaxhimin e Covidit

19 korrik 2020 | 18:01

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, ka marrë pjesë në konferencën virtuale e cila po organizohet nga Këshilli për Fetva i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Liga Botërore Islame.

Në këtë konferencë në distancë me karakter ndërkombëtar po marrin pjesë myftinj nga bota islame, ministra, akademikë, studiues, mendimtarë, dhe personalitete të larta islame, të cilët po japin kontributin e tyre në zgjidhjen e shumë çështjeve nga perspektiva islame që janë shfaqur pas pandemisë globale Covid-19 e që do të rezultonin me fetva të cilat do të lehtësonin dhe ofronin zgjidhje çështjeve në jetën e myslimanëve.

Muftiu Tërnava në këtë konferencë u paraqit në sesionin e shtatë me temën “Ballafaqimi me pandeminë në aspektin sheriatik”.

Ai fillimisht falënderoi organizatorët e kësaj konference dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj teme. “Ne po ballafaqohemi me këtë pandemi dhe ne po mundohemi me mundësitë që na i ka dhënë Zoti të kontribuojmë në ruajtjen e jetës së njerëzve. ‘Feja islame i ka kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së jetës së njeriut dhe interesat e domosdoshme prej të cilave varet jeta e njeriut. Këto domosdoshmëri janë pesë: sigurimi i fesë, identitetit, mendjes, pasardhësve dhe pasurisë. Nga këtu kuptojmë se ruajtja e vetës mbetet parim sheriatik që nuk guxojmë që ta shpijmë në rrezik, e as familjet e as shoqërinë”, ka thënë myftiu Ternava

Ai duke folur për përvojën dhe kontributin që ka dhe po jep BIRK-u në luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid-19, tha se janë të përkushtuar që së bashku me institucionet gjegjëse të ruajnë jetën e njerëzve në Republikën e Kosovës duke marrë një sërë vendimesh konform protokollit shëndetësor të kësaj pandemie.

Ai në këtë vazhdë përmendi pezullimin e faljes së namazeve në xhami. “Ky vendim ishte më i vështiri në jetën time ku më 14 mars ishim të detyruar për shkak të situatës alarmante të pandemisë por edhe duke parë qendrat me të mëdha të botës islame që kishin pezulluar faljen në xhami edhe ne pezulluam faljen në xhami por ezani është thirrur për çdo kohë”, është shprehur ai.

Ai ka shprehur falënderime për të gjitha ato shtete që kanë ofruar dorën e ndihmës për Kosovën, që ta kalojmë sa më lehtë këtë situatë pandemike.

Tërnava në fund është lutur që sa më shpejt dhe më lehtë të kalohet kjo situatë dhe të kthehemi në normalitet e prosperitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Dr. Imer RUSINOVCI, Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë Nëse…