Tërnava pret në takim komandantin e KFOR-it

08 nëntor 2021 | 14:33

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur të hënën në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ferenc Kajari.

Në këtë takim, Tërnava i uroi mirëseardhje gjeneralmajorit Kajari, të cilin e uroi për detyrën, duke e vlerësuar kontributin e forcës shumëkombëshe në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në Kosovë, si dhe i uroi punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij.

Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Myftiu Tërnava edhe njëherë ka shprehur mirënjohjen e tij për misionin dhe përkushtimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.

Tërnava ka theksuar se forcat e KFOR-it deri më tash kanë kontribuuar jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në projekte të ndryshme infrastrukturore, sikurse edhe në fushën e shëndetësisë në përballje me pandeminë, ku edhe me institucionet e BIK-ut janë zhvilluar shumë projekte të përbashkëta në të mirë të komunitetit.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it ka falënderuar myftiun Tërnava për pritjen dhe nëpërmes tij vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka BIK-u për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai ka shfaqur gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe se bashkëpunimi ndërmjet BIK-ut dhe KFOR-it do të vazhdojë edhe më tej.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të…