Tërnava shpreh keqardhje për djegien e katedrales Notre Dame
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava, vizitoi sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Në këtë takim, Tërnava shprehu keqardhje për djegien e katedrales “Notre Dame”. Nga ana tjetër ambasadori i Francës Chabert, e falënderoi Myftiun për vizitën, duke theksuar se katedralja “Notre Dame” konsiderohet si simbol i kulturës dhe civilizimit të Evropës.
Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, ambasadori gjithashtu vlerësoi lart rolin, aktivitetin dhe kontributin e Myftiut Tërnava dhe të BIK-ut për promovimin e paqes, dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës së të gjitha komuniteteve.
Gjatë takimit, gjithashtu u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve.
Katedralja Notre Dame ishte përfshirë më 15 prill nga një zjarr i madh që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Shumë shtete, biznesmenë e emra të njohur janë zotuar se do ta ndihmojnë rikonstruktimin e kësaj katedraleje, duke dhuruar shumë parash.