Tërnava uron Kurban Bajramin, bën thirrje për unitet

21 gusht 2018 | 08:14

Myslimanët në Kosovë kanë falur namazin e Kurban Bajramit, manifestimi qendror i së cilit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Me këtë rast Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Ternava, ka bërë thirrje që kjo festë të merret si kampanjë për të drejtat e femrës, që të ndalohen vrasjet dhe hakmarrjet, si dhe në të ketë solidarizimin në vend të mohimit të të drejtave të femrës.

Tërnava ka shtuar se kjo është përgjigje ndaj atyre që sipas tij, padrejtësisht akuzojnë islamin për shkeljen e të drejtave.

Kreu i BIK-ut ka bërë thirrje që askujt të mos i merret jeta, të cilën Zoti e ka shenjtëruar, duke përmendur këtu edhe të drejtën e nderit dhe pronës.

“Në këtë festë madhështore konfirmojnë me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzen dhe të abuzohen me to edhe sot e kësaj e dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgameri ynë Muhamedi a.s e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve të tjera me rëndësi në haxh, flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na përkujtoi Allahu për përgjegjësitë që i kemi para tij, Allahu na përkujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saj, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre, nëse do ta shpjegonim këtë të drejtë në mes të drejtave të barabarta, atëherë më pak fjalë do të thoshim se islami garanton të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo abuzuar me të. Allahu na urdhëron në Kuranin famëlart, jetoni e silluni mirë me to, megjithë këtë, me keqardhje më duhet të them se të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tonë, në mënyra e forma të ndryshme, duke filluar nga liria që i ka dhuruar Allahu, veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo të nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës së saj”, u shpreh Tërnava.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava pas faljes së namazit, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të saj, më lejoni t’ua uroj Festën e Kurban Bajramit. Duke iu drejtuar Allahut me lutje, të lëmë anash inatet dhe mospajtimet e të bëhemi bashkë, jo vetë m për të festuar por edhe për ta rregulluar jetën tonë. Urime Festa e Kurban Bajramit”, ka thënë Tërnava.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Me mesazhe paqeje e…