Tërnava vazhdon vizitën në Abu Dhabi
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, sot ka takuar në Abu Dhabi kryetarin e autoritetit federal për Vakafe dhe Çështje Fetare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Matar Al-Kaabi.
Ky i fundit ka falënderuar Myftiun për vizitën dhe e njohu me aktivitetet e institucionit më të lartë shtetëror për Vakafe dhe Çështje Fetare në EBA.
Ndërkaq edhe myftiu Tërnava e ka falënderuar nikoqirin për ftesën, duke i shprehur konsideratat më të larta të popullit të Kosovës dhe duke falënderuar EBA-në për gjithë kontributin e dhënë për Kosovën gjatë periudhave të ndryshme.
Myftiu e njohu nikoqirin edhe me organizimin e jetës fetare në Kosovë, me punën dhe veprimtarinë e BIRK-ut, duke u ndalur veçanërisht në vlerat e larta të kultivimit të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar, si vlerë e artë e popullit të Kosovës.
Gjatë takimit, të dy palët u dakorduan për përgatitjen e një protokolli të bashkëpunimit mes BIRK-ut dhe autoritetit federal për Vakafe dhe Çështje Fetare të EBA-së.