Tërnava viziton ambasadën e Kosovës në Abu Dhabi
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava po qëndron për një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, në kryeqytetin e EBA-së. Gjatë ditës së parë, kryetari i BIK-ut ka vizituar ambasadën e Kosovës në Abu Dhabi.
Delegacionin i BIK-ut u prit nga ambasadori Avni Arifi, cili falënderoi myftiun Tërnava për vizitën në ambasadë dhe e njohu me punën dhe stafin e ambasadës.
Nga ana e tij, myftiu Tërnava e falënderoi ambasadorin për mikpritjen dhe e njohu me aktivitetet dhe kontributin e BIK-ut në jetën fetare në Kosovë.
Gjithashtu ai e njohu ambasadorin me vizitën të cilën po e zhvillon në EBA.
Myftiu Tërnava, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së BIK-ut Ahmet ef. Rama dhe shefi i kabinetit mr. Besim ef. Mehmeti, do të marrin pjesë në forumin e gjashtë për promovimin e paqes në shoqëritë islame, cili i hap punimet nesër në Abu Dhabi dhe i cili mbahet nën patronatin e ministrit të MPJ-së, sheikut Abdullah bin Zajed.
Forumi global i këtij viti po mbahet me titullin “Roli i feve në përforcimin e tolerancës, nga mundësia në imperativ (domosdoshmëri)”
Gjatë dy ditëve sa do të zgjasë forumi, në të do të marrin pjesë myftinj, ministra, liderë fetarë dhe studiues nga 140 vende të ndryshme të botës, të cilët do të shpalosin studimet e tyre si dhe do të diskutojnë për metodologjinë dhe për mundësinë e krijimit të një aleance virtytesh për të arritur një diskurs botëror të miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, bazuar në vlerat dhe virtytet e përbashkëta dhe në përforcimin e tolerancës fetare.