Terras i përmbajtur, kërkon kohë për t’u njoftuar me situatën në Kosovë

09 dhjetor 2024 | 11:57

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, ka hezituar të flasë për qëndrimin e tij lidhur me dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera në vizitën e tij të parë në vend për misionin treditor për mbledhjen e fakteve.

Ai ka treguar në një konferencë për medie se është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, dhe se do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive opozitare, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Më jepni mundësinë që të takohem me të gjitha palët dhe me të gjithë njerëzit që t’i marrë pikëpamjet e tyre”, ka thënë ai pasi është pyetur për qëndrimin e tij lidhur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Terras ka thënë se ka folur me shumë persona në Kosovë përpara se të vinte fizikisht, ndërsa u shpreh i kënaqur që për herë të parë po merr informacione nga terreni.

“Jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, ka thënë ai.

Terras ka treguar se do të shkojë edhe në pjesën veriore të vendit ku do t’i zhvillojë disa takime, dhe se do ta vizitojë edhe kanalin e Ibër-Lepencit ku ndodhi sulmi në fund të nëntorit.

Ai është shprehur i sigurt se autoritetet e Kosovës do ta zbulojnë se kush qëndron pas këtij sulmi.

Për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ai ka thënë se “të gjithë kriminelët duhet të sillen përpara drejtësisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diletta Leotta e Loris Karius kurorëzuan dashurinë e tyre në…