Terri energjetik kaplon Kosovën, vështirëson jetën e qytetarëve dhe zhgënjen diasporën që vjen për festat e fundvitit
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Ministria e Ekonomisë: “Përdorni burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, konsumin e rrymës zhvendoseni pas mesnatës!”.
Subvencionohen pajisjet për ngrohje me energji elektrike në kohën kur paralajmërohet krizë energjetike dhe ngritje e çmimeve, ndërsa apelohet të përdoret druri dhe peleti.
Mungesa e një strategjie zhvillimore po i kushton Kosovës shumë sepse po i përngjan orientimit në një rrugë të verbër dhe nga kjo Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale në çdo segment.
Në vitet e fundit, Kosova po përballet me një paradoks, ku Qeveria e Kosovës subvencionon qytetarët për blerjen e pajisjeve elektrike për ngrohje, ndërsa vendi përjeton krizë të theksuar energjetike dhe ngritje të çmimeve të energjisë elektrike.
Kjo politikë, në vend që të zgjidhë problemin, përkeqëson situatën duke rritur konsumin e energjisë dhe varësinë nga importet e shtrenjta.
Gjatë dimrave të kaluar, Kosova ka përjetuar reduktime të energjisë që kanë prekur rëndë qytetarët dhe ekonominë e në veçanti sektorin privat.
Me temperaturat e ulëta që parashikohen, rritja e konsumit të energjisë do të kërkojë blerje më të shtrenjtë nga jashtë. Kjo politikë duket e qëllimshme, duke shkuar në favor të disa akterëve vendor e rajonal dhe që thellon varësinë energjetike të vendit nga importet e shtrenjta.
Derisa shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë është luftuar për investime në burime energjetike për prodhim deri edhe në ndërtimin e centraleve bërthamore në Kosovës që nga pas lufta më shumë është investuar për të penguar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike sesa për të shfrytëzuar resurset natyrore që posedon Kosova.
Në vend që të investojë në alternativa të qëndrueshme si prodhimi i peletit, qeveria shkatërron një industri vendore që ka filluar të lulëzojë, duke favorizuar pajisje të importuara për ngrohje me energji elektrike.
Kjo jo vetëm që dëmton industrinë e prodhimit të peletit në vend, por edhe rrit deficitin tregtar të Kosovës. Prodhimi i peletit në vend ka potencial të madh për të ulur varësinë nga importet dhe për të krijuar një cikël ekonomik të brendshëm. Megjithatë, qeveria nuk duket të ketë një plan për uljen e këtij deficit tregtar, duke e thelluar atë edhe më tej.
Në një kohë kur vendet e tjera përpiqen të ulin varësinë energjetike dhe të mbështesin industritë vendore, Kosova po ecën në drejtimin e kundërt.
Nëse kjo politikë nuk ndryshon, qytetarët dhe ekonomia e Kosovës do të përballen me sfida të mëdha në këtë dimër por edhe në vitet që vijnë.
Sot nuk është kosto e lartë vetëm blerja e energjisë, por edhe transporti i saj pasi Kosova sot mund të importojë energji elektrike vetëm nga rrjete të dy shteteve e jo nga gjashtë e më shumë rrjete si më parë falë politizimit dhe ngarkimit të ndërmarrjeve publike me militantë partiako-politik dhe të pa ditur.
E këtë kosto e paguan ekonomia e vendit, qytetari i mashtruar dhe diaspora e zhgënjyer që sot ballafaqohet me terrin dhe të ftohtit dimëror.
Kosova e njëzet e pesë viteve pas luftës jemi ne!