Terziqi: Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen me Poloninë
Hendbollisti Deniz Terziqi ishte më efikasi te Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjen e parë ndaj Polonisë të luajtur në tetor të vitit të kaluar si mysafir.
Kosova e kishte humbur thellë atë ndeshje, por ka marrë mësimet e nevojshme prej saj. Me Gjermaninë ishte paraqitur dukshëm më mirë, ndërsa ndaj Izraelit në prill Kosova arriti fitore historike. Sërish Terziqi ishte prej më të dalluarve, ndërsa lojtari më i mirë në Kosovë për vitin 2018 është optimist para ndeshjes tjetër me Poloninë, që luhet të mërkurën nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kosova të premten ka nisur përgatitjet për ndeshjen e fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”. “Përgatitjet janë duke u zhvilluar mirë. Jemi duke ushtruar që të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen me Poloninë. Loja në Poloni ishte për t’u harruar. Tani kemi synim që të tregojmë lojë të mirë dhe angazhim maksimal, njëjtë si ndaj Izraelit që kemi treguar. Presim që ta kemi përkrahjen e publikut, që nuk ka munguar në ndeshjet tona në Prishtinë”, ka thënë Terziqi.