Tesla dëshiron ta dyfishojë prodhimin në Gjermani
Nga fabrika e prodhuesit amerikan të veturave elektrike Tesla në Grünheide të Gjermanisë, jo shumë larg Berlinit, thanë se janë optimistë për të ardhmen pavarësisht rënies së tregut gjerman.
Drejtori i fabrikës Grünheide të Tesla, Andre Thierig, tha se fabrika aktualisht furnizon 37 tregje, kryesisht në Evropë, por edhe në Lindjen e Mesme dhe Tajvan.
Ai i tha agjencisë së lajmeve Dpa se e sheh fabrikën e vetme evropiane të Teslës si një “shembull të ndritshëm në industrinë e automobilave”.
Tregoi se makinat elektrike mund të prodhohen me sukses në Gjermani, shtoi Thierig, transmeton Telegrafi.
Shitjet e veturave elektrike në Gjermani ranë sërish në nëntor, sipas të dhënave nga Administrata Federale e Automjeteve.
Pothuajse 35.200 automjete të reja elektrike janë regjistruar gjatë muajit të parafundit të vitit, përfshirë 2.200 automjete Tesla, tha administrata kompetente.
Numri i përgjithshëm i regjistrimeve është ulur me 22 për qind krahasuar me nëntorin e kaluar.
Tesla, në pronësi të miliarderit Elon Musk, dëshiron të dyfishojë prodhimin në fabrikën Grünheide nga 500,000 vetura të planifikuara në vit në një milion në vit.
“Ne jemi optimistë për të ardhmen”, tha Thierig.
Edhe pse prodhuesi amerikan ka marrë dritën jeshile nga shteti federal i Brandenburgut për hapin e parë, planet e zgjerimit aktualisht janë pezull për shkak të situatës së vështirë të tregut.
Që nga fillimi i vitit, Tesla është përballur me sfida, me prodhimin e ndërprerë për rreth dy javë në janar dhe shkurt për shkak të mungesës së pjesëve të shkaktuara nga sulmet e Houthi jemenas, ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Përveç kësaj, ajo po përballet me një numër në rritje të protestave të aktivistëve mjedisorë, disa prej të cilëve janë duke kampuar në pyllin jo shumë larg fabrikës, duke u përpjekur të parandalojnë zgjerimin e fabrikës.
Sigurisht që do të donim të kishim një ose dy më pak ndërprerje, por në përgjithësi do ta mbyllim vitin me humor pozitiv, tha Thierig.