“Tesla” do të rihapë fabrikën në Kaliforni pa leje
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, ka deklaruar se do të rinisë prodhimin e makinave elektrike në fabrikën e tij në Kaliforni, përkundër urdhrit për të qëndruar mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Përmes një postimi në “Twitter”, Musk tha se është i gatshëm të arrestohet.
“Nëse dikush arrestohet, kërkoj që ai të jem unë”, tha Musk.
Musk gjithashtu ka vlerësuar se situata është bërë rrëmujë, pasi zyrtarët e shtetit e kanë miratuar rihapjen e fabrikës, por më pas ajo është bllokuar nga autoritetet lokale.
Sipas tij, “Tesla” po “veçohet”, pasi prodhuesit e tjerë të makinave në Shtetet e Bashkuara janë lejuar të rihapen.
Qarku Alameda, ku ndodhet fabrika e tij, ka vendosur që t’i mbajë mbyllur bizneset – përveç atyre që konsiderohen thelbësore – deri në fund të majit.
Autoritetet e qarkut kanë thënë se nuk e konsiderojnë “Tesla”-n biznes thelbësor.