Testet nga Serbia, Osmani: E gjithë bota e di se ata kanë kryer krime në Kosovë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku është diskutuar për pandeminë, ka folur rreth 1 000 testeve për Covid-19 që kanë ardhur si ndihmë nga Serbia.
Ajo ka thënë se në takimin e sotëm e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë në lidhje me këto teste, ku sipas saj, Arbën Vitia ka dhënë detaje lidhur me vështirësitë e pajisjes me teste.
“Sa i përket testeve ne kemi kërkuar informata nga ministri i Shëndetësisë, ai na ka informuar në detaje për vështirësitë që i kanë pasur, përderisa ka shtete tjera që kanë kompani që prodhojnë teste natyrisht që Kosova lëre se s’ka kapacitete të tjera dhe është trashëguar një sistem mjekësor gati i shkatërruar. Ai ka deklaruar se ka një ndihmë nga shteti i Luksemburgut dhe Katari dhe qeveria ka porositur diku 13 mijë teste të tjera. Me qëllim që të mos polizitohen çështjet, për mua ka qenë e rëndësishme që të dihet se sa e pajisur është Kosova me teste”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka përsëritur krimet që ka kryer Serbia në Kosovë, duke thënë se dërgimi i testeve nuk i shlyen këto krime.
“Sa i përket Serbisë unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë po e gjithë bota e ka të qartë cilat janë krimet që i ka bërë Serbia që janë dëshmuar në gjykata ndërkombëtare, tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma mirëpo kjo sesi nuk e shlyen të kaluarën, por mund të them se jam inkurajuar me informatat e ministrit për porositjen e 13 mijë teste”, ka deklaruar Osmani.