Testet serologjike do të bëhen edhe në Qendrën e Shëndetit Publik në Gjilan
Komitetit i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, nën udhëheqjen e drejtorit të Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka mbajtur mbledhjen e radhës për vlerësimin e situatës me virusin në dy ditët e fundit.
Në takim u konfirmua se ditëve të fundit Gjilani ka shënuar rënie të numrit të rasteve pozitive, ku aktualisht janë 231 raste aktive.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, dr. Ajhane Sefiu, ka deklaruar se pas trajnimit të stafit aty, nga e mërkura do të fillojnë me testet aerologjike në këtë komunë.
“Fillimisht do të testohet stafi shëndetësorë i shëndetësisë primare dhe sekondare, për të vazhduar me policinë dhe të gjithë qytetarët. Ndërkohë, shumë shpejt do të fillojmë edhe me punimin e testeve për RT-PCR. Jemi të lumtur që kemi arritur në këtë nivel fal aparaturës që na ka ardhur në Gjilan”, ka deklaruar Sefiu.
Gjendja e përgjithshme e përballjes me pandeminë në Gjilan është kjo: nga 7 397 teste, 2 927 kanë rezultuar pozitivë, 2 609 janë shëruar, 86 të vdekur, 232 raste aktive, 55 në hospitalizim dhe 80 mostra në pritje.
(Q.R / Epoka e re)