
Testimi i qarkores njëkahëshe në Prishtinë vazhdon edhe sot
Qyteti i Prishtinës edhe sot do të jetë në testim për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Testimi i qarkores njëkahëshe, si fazë testuese për ta “çliruar” kryeqytetin nga automjetet, ka nisur dje dhe do të përfundoj sot.
“Lëvizja e trafikut nëpër unazën e mësipërme do të jetë njëkahëshe në të gjitha korsitë dhe krahët e rrugëve”, ka njoftuar komuna.
Trafiku në Prishtinë gjatë testimit të qarkores njëkahëshe (23.04.2022)
Por pavarësisht “lehtësimit” dje në kryeqytet është vërejtur tollovi e madhe duke u krijuar kolona të gjata të automjeteve në rrugët e kryeqytetit. Qytetarët dhe ekspertët e komunikacionit rrugor e cilësuan si projekt të ngutshëm dhe të dështuar.
Ata janë shprehur për Telegrafin se para se të nisej ky testim, është dashur të bëhej një analizë më e saktë.
Të shtunën më 23 prill dhe të dielën më 24 prill, do ta testojmë shndërrimin e gjithë unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Do të funksionojnë, gjatë kësaj fundjave, krejtësisht si rrugë njëkahëshe:
– Rruga ‘Agim Ramadani’ që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës
– Rruga ‘UÇK’ nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
– Rruga ‘Luan Haradinaj’ deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga ‘Garibaldi’ deri te semaforët pranë Grandit
– Rruga ‘George Bush’ deri te semaforët pranë Katedrales
– Rruga ‘Eqrem Çabej’ deri te semaforët pranë ish-Menzës së Studentëve.
Lëvizja e trafikut nëpër unazën e mësipërme do të jetë njëkahëshe në të gjitha korsitë dhe krahët e rrugëve.